Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit ka lejuar kalimin e më shumë se 30 anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike detare në botë.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane Fars, IRGC bëri të ditur se 33 anije, përfshirë cisterna nafte, anije kontejnerësh dhe mjete të tjera tregtare, kanë kaluar ngushticën pasi kanë marrë autorizim dhe mbrojtje sigurie nga marina iraniane.
“Gjatë 24 orëve të fundit, 33 anije kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit pas koordinimit dhe sigurimit nga Marina e Gardës Revolucionare Islamike”, raportoi Fars duke cituar IRGC-në.
Deklarata vjen pak pasi një burim i lartë iranian i tha CNN-së se rruga ujore mbetet e hapur, por theksoi se çdo kalim duhet të koordinohet me autoritetet iraniane për të garantuar sigurinë e tranzitit.
CNN thekson se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin e Teheranit. Të dhënat nga kompania e inteligjencës detare MarineTraffic tregojnë se disa anije kanë kaluar ngushticën gjatë ditës së fundit, por trafiku mbetet ende nën nivelet e zakonshme para konfliktit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se Ngushtica e Hormuzit “do të hapet” si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë mes SHBA-së dhe Iranit, megjithëse ai nuk sqaroi nëse kjo do të nënkuptonte rikthimin e plotë të lundrimit të lirë si para tensioneve të fundit.
Ndërkohë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim raportoi se ngushtica “nuk do të rikthehet në statusin e saj para luftës”, duke theksuar se Teherani do të vazhdojë të ushtrojë sovranitetin mbi këtë korridor strategjik.
Sipas transmetuesit shtetëror IRIB, rreth 240 anije ndodhen aktualisht në pritje për të marrë lejen iraniane për të hyrë në Ngushticën e Hormuzit.





