Trendy

Irani po çimenton kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit

Para 1 muaj

Pak pas nisjes së luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, Irani mori kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një arterie kyç për furnizimet globale të naftës dhe gazit.

Duke kërcënuar dhe duke sulmuar dërgesat ndërkombëtare, Irani e ka çuar trafikun detar pothuajse në një paralizë të plotë, duke i dhënë vetes një levë të madhe ndaj fqinjëve të tij në Gjirin Persik dhe ndaj ekonomisë globale.

Tani, Republika Islamike po e formalizon dominimin e saj mbi këtë nyje strategjike duke vendosur një regjim të ri transiti. Kjo po ndodh pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, që kanë vendosur një bllokadë të tyre në ngushticë.

Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik të Iranit (PGSA) – një trup i ri që është i ngarkuar për verifikimin dhe vendosjes së tarifave ndaj anijeve – filloi zyrtarisht funksionimin më 18 maj.

Në një postim në X më 20 maj, ku u postua edhe një hartë, PGSA-ja përcaktoi zonën e kontrollit detar të Iranit në Ngushticën e Hormuzit.

Ky autoritet tha se kjo zonë përfshin hapësirën midis vijës që shtrihet nga “Kuh-e Mubarak në Iran deri në jug të Fuxhairasë në Emiratet e Bashkuara Arabe… deri te vija që lidh cepin e ishullit Keshm në Iran dhe Um Al-Kuvain në Emirate të Bashkuara Arabe”.

Në postim u shtua se “transiti përmes kësaj zone me qëllim kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit kërkon koordinim me autorizim nga Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik”.

Irani, në praktikë, po “e shndërron ngushticën nga një korridor transiti, që ka ndërprerje, në një regjim lejesh, të administruar nga shteti, dhe të tarifave”, tha Windward, kompania për informacione detare, përmes një raporti të publikuar më 20 maj.

Edhe pse postimet e PGSA-së në X citohen nga mediat shtetërore, mbetet e paqartë se kush qëndron pas kësaj llogarie, cili entitet e mbikëqyr apo ku i ka zyrat, nëse ka. Madje, ky autoritet nuk ka as ueb-faqe. Gazetarja hulumtuese me bazë në Iran, Fatemeh Karimkhan, tha se “nuk ka të dhëna” për ekzistencën e PGSA-së.

“Është e habitshme që një llogari e paverifikuar në X mund të kontrollojë rrjedhën e lajmeve në këtë mënyrë”, shkroi ajo në X.

Trending