Trendy

Irani refuzon planin me 15 pika të Trumpit: Shumë po kërkon!

Para 1 orë

Irani ka deklaruar se kërkesat e presidentit amerikan janë “të tepruara”, pasi ka shqyrtuar planin me 15 pika të propozuar nga Donald Trump. Sipas një zyrtari të cituar nga televizioni shtetëror iranian, Teherani nuk i konsideron të pranueshme këto kushte.

Zyrtari theksoi se Irani do ta përfundojë luftën vetëm në momentin që e gjykon vetë të përshtatshëm dhe vetëm nëse plotësohen kushtet e tij.

Ai nënvizoi gjithashtu se Irani nuk do të lejojë që presidenti amerikan të diktojë kohën e përfundimit të konfliktit.

Sipas tij, përmes një ndërmjetësi, Irani i ka bërë të qartë SHBA-së se do të vazhdojë të mbrohet dhe ka paraqitur pesë kushte kryesore për përfundimin e luftës:

ndërprerjen e agresionit dhe vrasjeve të synuara;

vendosjen e mekanizmave konkretë që garantojnë se Irani nuk do të sulmohet më;

kompensimin e dëmeve të luftës dhe pagesën e reparacioneve;

përfundimin e luftimeve në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e përfshira në rajon;

njohjen ndërkombëtare dhe garanci për autoritetin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.

Këto zhvillime vijnë pasi zyrtarë pakistanezë konfirmuan se Irani e ka marrë propozimin amerikan me 15 pika për t’i dhënë fund sulmeve mes SHBA-së dhe Izraelit, shkruan skynews.

Ndërkohë, Trump ka deklaruar se SHBA është në negociata me Iranin për një armëpushim, duke pretenduar se po komunikojnë me “njerëzit e duhur” dhe se pala iraniane është e interesuar për një marrëveshje.

Megjithatë, autoritetet iraniane e kanë mohuar vazhdimisht ekzistencën e këtyre negociatave. Madje, së fundmi, një zëdhënës ushtarak ironizoi duke thënë se SHBA në fakt po negocion me vetveten.

Trending