Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ish-lideri i LSDM-së, Vlado Buçkovski, vlerëson se interesimi i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor nuk është më i njëjtë si në dekadat e kaluara.
Në një intervistë për emisionin politiko-analitik serb “Sinteza”, Buçkovski deklaroi se epoka e përfshirjes amerikane në ndërtimin e shteteve dhe demokracive në rajon ka përfunduar, ndërsa fokusi i ri i Uashingtonit lidhet kryesisht me interesat ekonomike dhe të sigurisë.
“Mendoj se përfshirja e amerikanëve në ndërtimin e kombeve dhe demokracive tona ka mbaruar. Tani ekonomia është ajo që i intereson partnerët tanë amerikanë”, u shpreh Buçkovski.
Ai theksoi gjithashtu se edhe Bashkimi Evropian ka lënë në hije Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se rajoni do të ishte jashtë fokusit të Brukselit po të mos ishte lufta në Ukrainë.
“BE-ja e ka harruar Ballkanin Perëndimor dhe nëse nuk do të ishte kriza në Ukrainë, ne do të ishim jashtë interesit të Unionit”, deklaroi ai.
Sipas Buçkovskit, zgjerimi i BE-së duhet të jetë gjithëpërfshirës për të gjitha vendet e rajonit, duke rikujtuar se Maqedonia e Veriut ka bërë sakrifica të mëdha në rrugën eurointegruese.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur edhe raportet e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit flasin për një qasje të re të SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, ku theksi vihet më shumë te stabiliteti, siguria dhe partneritetet ekonomike sesa te “ndërtimi i shteteve”. përcjell Zhurnal.mk .










