Ish-presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, është gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht raportimeve të mëhershme se ai ishte vrarë gjatë sulmeve ajrore të përbashkëta amerikano-izraelite në Teheran.
Lajmi u konfirmua nga një bashkëpunëtor i afërt i tij, i cili deklaroi për mediat ndërkombëtare se është në kontakt të vazhdueshëm me Ahmadinejadin dhe se “gjithçka është në rregull”.
Sipas burimit, gjatë sulmeve është goditur një objekt i lidhur me ekipin e sigurisë së ish-presidentit, ku kanë humbur jetën tre truproja, pjesëtarë të Gardës Revolucionare Islamike. Megjithatë, rezidenca personale e Ahmadinejadit, e cila ndodhej rreth 100 metra larg objektit të goditur, nuk ka qenë shënjestër dhe nuk është dëmtuar. 
Më herët, disa media kishin raportuar se Ahmadinejad ishte vrarë gjatë bombardimeve në lindje të Teheranit, çka shkaktoi konfuzion të madh në opinionin ndërkombëtar. Deklarata e këshilltarit i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke konfirmuar se ish-presidenti iranian është transferuar në një vend të sigurt. 
Mahmoud Ahmadinejad ka qenë president i Iranit në periudhën 2005–2013 dhe mbetet një nga figurat më të njohura politike të vendit.










