Joe Kent, ish-drejtues i Qendrës Kombëtare për Kundër-Terrorizmin në SHBA, ka shprehur shqetësimin e tij për politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme.
Ai paralajmëroi se një largim i mundshëm i SHBA nga NATO nuk do të shërbente për të shmangur përfshirjet e huaja, por mund të çojë vendin drejt mbështetjes së Izraelit në rast të një përplasjeje me Turqinë në Siri.
Kent kujtoi gjithashtu rolin e Shteteve të Bashkuara në rrëzimin e qeverisë sekulare siriane dhe vendosjen e një ish-udhëheqësi të lidhur me grupet terroriste Al-Kaida/ISIS si president.

“Koha për të ndaluar lojën e zjarrfikësit dhe zjarrvënësit në Lindjen e Mesme ka ardhur; thjesht më nuk ia vlen”, shkruante ai në rrjetet sociale.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump komentoi në lidhje me rolin e NATO-s.
“NATO nuk ishte aty kur na duhej, dhe nuk do të jenë aty nëse na duhen përsëri. Mos harroni Grenlandën, atë copë të madhe akulli, të varfër dhe të keqmenaxhuar!!!”, pohoi lideri amerikan.
Ndryshe, Neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se një sulm i armatosur kundër një ose më shumë vendeve anëtare të NATO-s do të konsiderohet sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare.
Në këtë rast, secila anëtare ka të drejtën të reagojë, duke përfshirë përdorimin e forcës ushtarake, për të rikthyer dhe ruajtur sigurinë dhe mbrojtjen e saj. /Telegrafi/










