Nga Qeveria – në zemër të Çairit! Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Çairit për zgjedhjet lokale të ardhshme, transmeton tetova1.
Në një status emocional dhe të fuqishëm të publikuar në rrjetet sociale, Mexhiti ka shpalosur motivin e vendimit të tij, duke e cilësuar Çairin si një thirrje që nuk mund ta refuzojë:
“Çairi është thirrja të cilën nuk mundem ta refuzoj!”
“Çairi është obligimi të cilin me përulësi do ta plotësoj!”
Në një kohë kur shumë politikanë garojnë për poste më të larta shtetërore, Mexhiti bën hapin e kundërt, largohet nga Qeveria për t’iu rikthyer bazës, për të qenë, siç thotë ai vetë, në mesin e njerëzve të tij:
“Për Çairin kam pranuar ta lë Qeverinë dhe të kthehem në mesin e njerëzve të mi. Besoj dhe jam i sigurt se kam bërë zgjedhjen e drejtë dhe të duhur.”
Mesazhi i tij ka pasur jehonë të madhe në opinionin publik, sidomos në radhët e qytetarëve të Çairit, ku Mexhiti ka qenë për vite me radhë një figurë kyçe politike dhe organizative.
“Sepse njerëzit e Çairit meritojnë kryetar i cili ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në mesin e tyre, gjithmonë në dispozicion për t’u ofruar ndihmë dhe mbështetje.”
Në fund, ai shpreh bindjen në fitore dhe e përmbyll mesazhin e tij me një urim që rezonon emocionalisht me votuesit:
“Fitore. Për Çairin. Na qoftë për hajr!”
Kjo kandidaturë pritet të ndezë garën në njërën nga komunat më simbolike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Mexhiti tashmë ka vendosur: Çairi para gjithçkaje!










