Trendy

Izet Mexhiti me akuza të forta ndaj BDI-së: “Kanë fshirë shqiptarët nga regjistrimi i vitit 2021”

Para 9 muaj

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i akuzuar se gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021 kanë qenë të përfshirë në një proces sistematik të fshirjes së shqiptarëve nga evidencat zyrtare.

“Nuk është çudi që BDI bëhet nervoze sa herë hapet tema e regjistrimit,” – deklaron Mexhiti. “Ata më së miri e dinë çfarë kanë bërë. Ndërsa populli regjistrohej, ata merreshin me pasurim dhe me interesa personale.”

Sipas tij, përmes patriotizmit të rrejshëm në rrjetet sociale, BDI po përpiqet të mbulojë “tradhtinë kombëtare” që ka ndodhur, sidomos në rrethinën e Strugës, ku ai paraqiti të dhëna shqetësuese që tregojnë për mosmarrëveshje të mëdha ndërmjet numrit të regjistruar të banorëve dhe atij të votuesve në zgjedhjet e vitit 2024:

  • Në fshatin Ladorisht, në vitin 2021 janë regjistruar 1.344 banorë mbi moshën 18 vjeç, por në zgjedhjet e vitit 2024 kanë votuar 2.397 persona – një diferencë prej më shumë se 1.000 votash.
  • Në Veleshtë, janë regjistruar 2.196 banorë të rritur, ndërsa kanë votuar 2.377, pra rreth 200 më shumë se të regjistruarit.
  • Në fshatin Livadhi, gjithashtu është konstatuar që numri i votuesve tejkalon atë të banorëve të regjistruar në 2021.

Sipas Mexhitit, ky është vetëm “maja e ajsbergut”. Vetëm në këto tre fshatra, mbi 5.000 shqiptarë janë ‘harruar’ nga regjistrimi, ndërsa në nivel republikan ai paralajmëron se shifrat janë shokuese dhe tronditëse.

“BDI nuk vetëm që ka kontribuar në shpërnguljen e qindra mijëra shqiptarëve jashtë vendit, por edhe ata që kanë mbetur, i ka fshirë nga evidencat,” – thekson ai.

Mexhiti përfundon duke paralajmëruar se për këtë “tradhti kombëtare” do të kërkohet përgjegjësi politike dhe institucionale:

“Koha për përgjegjësi ka ardhur – dhe ajo do të ndodhë.”

Trending