Trendy

Izetbegoviq: Turqit s’po investojnë në Bonjë-Hercegovinë, por përherë do t’i gjeni te varri i Alisë

Para 14 orë

Kanë filluar edhe boshnjakët t’i humbin nervat me Rexhep Taip Erdoanin. Kryetari i partisë boshnjake SDA, Bakir Izetbegoviq, i dha një intervistë televizionit BIR, i cili prezantohet si medium i “komunitetit islamik” në Bosnjë.

Me ton nervoz Izetbegoviq tha: “Turqit s’po investojnë në Bonjë-Hercegovinë, por përherë do t’i gjeni te varri i Alisë (Izetbegoviqit)”.

Bakiri është djali i Alija Izetbegoviqit, kryetarit të Bosnjë-Hercegovinës në vitet e luftës. Dikur Erdoan e pati quajtur Bosnjën “provincën e 81-të osmane”.

Disa herë ka treguar se pak para vdekjes, lideri i boshnjakëve, Alija Izetbegoviq, ia la “amanet” Erdoanit të kujdeset për Bosnjën. Më 2016 Bakiri ishte mysafir në dasmën e vajzës së Erdoanit.

Në vitin 2021 Erdoan mori pjesë në kurorëzimin e vajzës së Bakir Izetbegoviqit në xhaminë qendrore të Sarajevës. Thënë thjeshtë: në Bosnjë Erdoani investon emocione, në Serbi kapital.

Në Serbi janë aktive mbi 1500 kompani me kapital turk. Në Bosnjë 200.

Volumi i tregtisë mes Serbisë dhe Turqisë në vitin 2025 arriti rreth 3,5 miliardë dollarë, së shpejti pritet të afrohet te 5 miliardë dollarë. Ndërsa volumi i tregtisë mes Bosnjës dhe Turqisë sillet rreth 800 milionë dollarë.

/Enver Robelli/

Lajmi i publikuar ne median boshnjake

https://www.klix.ba/vijesti/bih/izetbegovic-turci-ne-investiraju-u-bih-ali-cete-ih-uvijek-naci-na-alijinom-mezaru/260218026

 

Trending