Trendy

Ja data, viti dhe ndeshja e fundit e Fadil Vokrrit me Prishtinën

Para 4 javë

Në javën e fundit të pranverës, më 14 qershor 1986, u zhvillua ndeshja e fundit e kapitenit Fadil Vokrri me fanellën e Prishtinës, para se të transferohej te Partizani i Beogradit.

Ishte ditë e shtunë dhe në mot të mirë u luajt ballafaqimi i javës së fundit (34-të) të Ligës së Parë të ish-Jugosllavisë në futboll, ndërmjet Prishtinës dhe Vardarit të Shkupit, takim që përfundoi pa fitues, me rezultat 0:0.

Prishtina e përfundoi edicionin në vendin e 11-të, me 32 pikë të grumbulluara.

Në këtë takim, Prishtina nuk arriti ta realizojë një penallti, pasi goditjen e Fadil Muriqit e priti portieri i Vardarit, Mutibariq.

“A thua djelmoshat tanë dinë vetëm kaq…?

E, besa, praktika po e dëshmon se prishtinasit kanë rënë në një krizë, pa marrë parasysh se a luan, apo luajti Vokrri. Me të, gjatë pjesës së parë, dhe pa të, në pjesën e dytë, loja e Prishtinës i ngjau asaj popullorçe: ‘Nis e sos – bukë e kos’.

Një rast në pjesën e parë, një në atë të dytë. Rasti i pjesës së parë, i shkëlqyeshëm: penallti (që në minutën e 4-të).
Por, kur fati e do që të koritesh deri në fund, dështon edhe nga penalltia.

Dështoi F. Muriqi, përkatësisht portieri debutues në portën e Vardarit, Mutibariqi (i ri) e mbrojti goditjen e Muriqit.

Por koria nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me Fadil Muriqin, sepse penallti nuk kanë realizuar dhe nuk do të realizojnë edhe shumë e shumë lojtarë me më renome se Fadil Muriqi…

Për fat të keq, kjo ndodhi në minutën e 4-të, dhe prej këtij çasti e deri në fund të takimit, simpatizuesit zunë të fershellejnë në shenjë pakënaqësie për lamtumirën kaq të zbehtë të prishtinasve. Përkundër prishtinasve, mysafirët nga Shkupi luajtën mirë, pa kompleks do të thoshim mu ashtu si është pritur nga vendësit.

Në çdo duel qëndronin më shumë”, kishte shkruar gazetari Burim Hatipi në sportin e “Rilindjes”.

Prishtina – Vardari 0:0
Stadiumi i qytetit në Prishtinë.
Para nja 10.000 shikuesve.
Ndeshjen e drejtoi Ismet Shurdhani i Kaçanikut, me ndihmën e Ivan Bllazhekut të Koprivnicës dhe Jordan Mickovskit të Kavadarit.
Me karton të verdhë u ndëshkua Trajçevski i Vardarit. Moti dhe terreni të përshtatshëm për lojë.
Prishtina: Neshet Zhaveli, Arbnor Morina 5, Faton Domi 5, Goran Pupovac 5, Skënder Shengyli 7, Rifat Mehinoviq 6, Kujtim Shala 6, Rafet Prekazi 5, Fadil Vokrri 5 (Arsim Meha 5), Fadil Muriqi 6 dhe Miodrag Qirkoviq.
Vardari: Mutibariq 7, Novakovski 7, Markovski 7, Avramovski 8, Janevski 6, Najdovski 6, Zdravkov 6 (Trajanovski), Urosheviq 7, Pançev 6, Trajçevski 7 dhe Goraçinov 7.

Trending