Sulmuesi anësorë Lorik Jakupi analizon ballafaqimin e radhës në LPFMV, ku Shkëndija të hënën pret Shkupin në Tetovë, duke kërkuar vazhdimësinë e fitoreve pas triumfit në Shkup ndaj Rabotniçkit.
Përballja e xhiros së 27-të e Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Shkëndijës dhe Shkupit luhet të hënën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 15:30.
…atmosfera pas fitores…
Lorik Jakupi: “Fitorja bindëse ndaj Rabotniçkit ka ndikuar shumë mirë në atmosferën e skuadrës. Pas asaj disfate të papritur me Pelisterin, na u desh që ekipi të ngrihej menjëherë dhe të vazhdonte rrugën në kampionat. Mendoj se treguam dominim të plotë dhe tani jemi të fokusuar maksimalisht për të vazhduar ecurinë tonë drejt objektivit kryesor , titullit kampion.”
…respekti për mysafirët…
Lorik Jakupi: “Ne jemi koshientë për situatën në të cilën ndodhet Shkupi. Na vjen keq që një skuadër me atë histori është në atë pozitë, pasi nuk e meriton të jetë aty ku është. Megjithatë, ky është futbolli. Ne jemi Shkëndija dhe pavarësisht renditjes, ne respektojmë çdo kundërshtar në fushë. Duhet të jemi në fokusin tonë më të mirë për të marrë pikët që na duhen.”
…qasja ndaj ndeshjes…
Lorik Jakupi: “Do të luajmë me seriozitetin më të lartë, sikur të ishte një ndeshje derbi. Nuk ka vend për nënvlerësim, pasi synimi ynë është të fitojmë në mënyrë dominante dhe bindëse. Duhet të ruajmë ritmin tonë dhe të mos i lemë asgjë rastësisë në rrugëtimin tonë drejt kreut të tabelës.”
…premtimi për tifozët…
Lorik Jakupi: “Në qoftë se do të jem në formacion, u premtoj tifozëve se do të jap maksimumin për të siguruar një fitore bindëse. Tifozët tanë meritojnë një lojë cilësore dhe ne jemi të përgatitur t’ua dhurojmë këtë triumf në stadiumin tonë.”.










