Ministria e Arsimit dhe Shkencës parashikon aktivitete të vazhdueshme për parandalimin e dhunës midis bashkëmoshatarëve dhe për të krijuar sistem të qëndrueshëm që do të veprojë në mënyrë parandaluese, deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Ajo theksoi se Qeveria ka ndërmarrë disa projekte dhe ndryshime legjislative, si dhe ndryshime në shkolla, me qëllim parandalimin dhe sanksionimin e dhunës midis bashkëmoshatarëve.
Janevska iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve gjatë ngjarjes me rastin e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e palestrës së re sportive në Shkollën Fillore “Vëllazërimi”, në të cilën morën pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i komunës së Karposhit, Sotir Llukrovski.
Duke iu përgjigjur pyetjes për masat kundër dhunës midis bashkëmoshatarëve, të cilat i ka shpallur Qeveria, Janevska tha se bëhet fjalë për aktivitete që Ministria po ndërmerr me qëllim shkatërrimin e këtij fenomeni.
“Ju e dini se ne kemi parashikuar numër jashtëzakonisht të madh aktivitetesh për të shkatërruar dhunën midis bashkëmoshatarëve, gjë që nuk ka qenë rasti deri tani. Kjo është qeveria e parë që i kushton kaq shumë vëmendje dhunës midis bashkëmoshatarëve. Ne kemi ndërmarrë projekte dhe ndryshime legjislative. Kemi ndërmarrë ndryshime në shkolla në lidhje me oraret e mësuesve, kujdesin, madje edhe ndëshkimet për ata prindër, fëmijët e të cilëve do të përsërisin dhunën midis bashkëmoshatarëve”, theksoi ministrja.











