Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vizitoi komunat e goditura rëndë nga zjarret masive që kanë kapluar pjesë të ndryshme të vendit gjatë ditëve të fundit.
Gjatë vizitës në terren, një video dramatike u bë virale në rrjetet sociale, ku shihet Vuçiq teksa merr një telefonatë nga ministri i Bujqësisë, Dragan Glamoçiq dhe i jep urdhra të rrepta për ndihmë ndaj banorëve të prekur nga zjarret.
🗣️ Në video, Vuçiq dëgjohet duke thënë:
“Glamoçiq, për këto fshatra… Prandaj janë të shtrenjta edhe kumbulla edhe qershia, se nuk ka. Edhe vishnje. Po e ndërpres lidhjen sepse nuk jam në qendër të Beogradit, por diku tjetër, Glamoçiq. Hajde, shiko tani vetëm si të ndihmohen njerëzit që janë goditur nga zjarret, ku u ka djegur bagëtitë. Nuk mundemi t’ua kompensojmë të gjithën, por aq sa mundemi, ndihmojini.”
Në vijim të bisedës, presidenti rriti tonet:
“Aty ku janë djegur bagëtitë nga zjarret, shiko si t’u ndihmojmë njerëzve. Nuk mund t’u japësh të gjithën, por aq sa mundesh, ndihmoji. Vizito çdo shtëpi. Hajde. Nuk është ‘provo dhe shiko çka mundesh’, por do ta bësh ashtu siç të thashë unë. Jo, more, do ta bësh siç të thashë unë, jo çka mundesh ti. Kjo është përgjigjja. Hajde, tungjatjeta.”
Zjarret kanë shkaktuar dëme katastrofike, veçanërisht në fshatin Dubovë të komunës Zitorajë, ku rreth 300 shtëpi janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, ndërsa banorët i kanë parë me sy të pafuqishëm flakët duke zhdukur pasurinë e tyre.
Për shkak të më shumë se 100 vatrave aktive, qeveria shpalli gjendje të jashtëzakonshme në pesë komuna, ndërsa ndihma më e madhe deri tani ka ardhur nga reshjet e shiut, që binin për herë të parë pas dy muajsh.










