Avokati i Popullit nismën e ka dorëzuar në qeveri më 18 mars 2026.
“Me qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht për të mundësuar që provimi i jurisprudencës, si dhe provimi i noterit dhe ai për përmbarues, përveç në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, t’u mundësohet kandidatëve që, me kërkesën e tyre, provimin ta japin edhe në gjuhën që e flasin dhe shkrimin e saj, nëse bëhet fjalë për gjuhë që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i paraqet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si propozues i autorizuar, Iniciativë për përgatitjen e propozimeve për plotësimin përkatës të dispozitave të: Ligjit për provimin e jurisprudencës, Ligjit për noterinë dhe Ligjit për përmbarimin”, thuhet në dokument.
Avokati i Popullit propozon që në ligjet e shënuara të shtohen dispozita me të cilat përcaktohet se këto provime jepen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, ndërsa për kandidatët që flasin gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kërkesën e tyre, edhe në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj, dhe njëkohësisht të obligohet Ministria e Drejtësisë, si organ kompetent, që për këtë qëllim të krijojë të gjitha parakushtet e nevojshme (materiale, pyetje provimi dhe komisione profesionale për zbatimin e tyre, në gjuhën në të cilën kandidati e jep provimin).
Nga Zyra e Avokatit të Popullit për Portalb.mk thanë se Qeveria duhet të njoftojë për masat dhe veprimet ne ndërmarra më së voni brenda 30 ditëve.
“Kjo nënkupton se institucioni do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje dhe do të ndërmarrë veprime në përputhje me ligjin”, thanë nga Avokati i Popullit për Portalb.
Nga Qeveria e RMV-së edhe pse të pyetur për këtë nismë, deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.










