Zyrtarët e administratës së Donald Trump po diskutojnë mundësinë e zhvillimit të një takimi të dytë ballë për ballë me përfaqësuesit iranianë, përpara skadimit të armëpushimit mes dy vendeve javën e ardhshme. Lajmi bëhet nga CNN, duke cituar burime të njohura me bisedimet, të cilat i cilësojnë diskutimet ende në fazë paraprake.
Sipas burimeve, autoritetet amerikane po shqyrtojnë data dhe vende të mundshme për një raund të ri negociatash, në varësi të përparimit të kontakteve aktuale me Iranin dhe ndërmjetësit rajonalë.
“Duhet të jemi të përgatitur të veprojmë shpejt nëse situata zhvillohet në atë drejtim”, është shprehur burimi.
Takimi i fundit, i zhvilluar të shtunën në Islamabad, ishte rezultat i disa javësh negociatash intensive që përfshinë zyrtarë të lartë amerikanë dhe ndërmjetës nga vende si Pakistani, Turqia, Egjipti dhe Omani. Një burim rajonal tha se pritet një tjetër raund bisedimesh, ndërsa Turqia po përpiqet të ngushtojë diferencat mes palëve.
Përpara takimit në Islamabad, ishin propozuar disa qytete si Gjeneva, Vjena dhe Stambolli. Sipas burimeve, Gjeneva dhe Islamabadi mbeten opsione të mundshme edhe për një takim të ardhshëm.
Zyrtarët amerikanë shprehen me kujdes optimistë për arritjen e një përparimi diplomatik. Në varësi të ecurisë së negociatave në ditët në vijim, nuk përjashtohet edhe mundësia e shtyrjes së afatit të armëpushimit për të krijuar më shumë hapësirë për dialog.










