Trendy

Ka nisur fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Maqedoni — do të zgjasë 20 ditë

Para 6 muaj

Fushata zyrtare për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut ka filluar dhe do të vazhdojë deri më 17 tetor në mesnatë. Më 19 tetor pritet të mbahet raundi i parë i votimeve, ndërsa në rast balotazhi, raundi i dytë planifikohet për 2 nëntor. 

Sipas Kodit Zgjedhor (neni 69a), në kuadër të fushatës lejohen: tubimet publike, aktivitetet politike, paraqitjet mediatike dhe në internet, shpërndarja e materialeve të shtypura, përdorimi i billboard-eve dhe promovimet publike të kandidatëve dhe programeve të tyre. 

Në rast shkeljesh, palët mund të paraqesin ankesa në Komisionin Shtetëror për Zgjedhje dhe Referendum (KSHZ), i cili duhet të marrë vendim brenda 72 orësh. Kundër këtij vendimi mund të bëhet padi në Gjykatën Administrative, e cila gjithashtu ka afat 72 orësh. 

Gjatë fushatës, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) do të publikojë raporte ditore dhe javore për aktivitetet mediatike, dhe sondazhet e opinionit mund të publikohen deri më 13 tetor në orën 24:00. 

Kandidatë për kryetarë komunash dhe këshilltarë duhet të dorëzojnë raportet financiare të fushatës në ditën e 11-të të periudhës së fushatës tek institucionet përkatëse. 

Në total, për këto zgjedhje janë caktuar 3.480 qendra votimi në të gjithë vendin. Në 132 prej tyre, ku numri i zgjedhësve është më pak se 10, votimi do të bëhet në qendrat më të afërta. 

Buxheti i përgjithshëm për zgjedhjet lokale është 9,760,000 euro. Rreth dy të tretat e kësaj shume janë parashikuar për media dhe reklama politike, ndërsa pjesa tjetër për kompensimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore, transportin dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore. 

Zgjedhjet lokale organizohen çdo katër vjet dhe në këtë vend ekzistojnë 80 komuna plus Qyteti i Shkupit, i cili ka status të veçantë dhe përfshin 10 komuna me kompetenca të përbashkëta.

Trending