Kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Komunës së Kërçovës për “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” dhe kundër katër personave për “pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra e ndëshkueshme”
NJPB Kërçovë ngriti kallëzim penal kundër F.D. (52) nga fshati Sërbicë i Kërçovës, për shkak të ekzistimit të dyshimit për vepër të kryer penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar”, si dhe kundër F.A. (62) nga f. Zajas, A.N. (38) nga f. Sërbicë, H.B. (37) nga f. Cërvevc dhe B.S. (36) nga f. Strellcë, për vepër të kryer penale “pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra e ndëshkueshme”.
I denoncuari i parë F.D., në cilësinë e kryetarit të komunës së Kërçovës, në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, me vetëdije dhe me paramendim, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës dhe duke mos vepruar në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ka lidhur kontratë pune me personat e tjerë të denoncuar. Më pas, me mosushtrimin e mbikëqyrjes së domosdoshme, me vetëdije u ka lejuar që të mos vinin në punë dhe t’u paguheshin rrogat, kompensimet dhe kontributet e tjera nga arka e komunës dhe pas skadimit të afatit ligjor nuk ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës.
Në këtë mënyrë, F.D. në periudhën e theksuar kohore, e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Kërçovës në shumën prej 130.000 eurosh dhe u ka lejuar të denoncuarve të tjerë të përfitojnë dobi materiale, nga të cilat, secili veçmas dhe në llogarinë e tij, kanë marrë shuma të ndryshme parash edhe pse ishin në dijeni se janë përfituar në bazë të veprës së kryer penale.










