Rajon

Kamberi: Vuçiqi e di se çizmja serbe më nuk do të shkelë në Kosovë

Picture of Autori

Autori

Portali Tetova

January 2, 2025, 11:01

Politikanët në Kosovë duhet të jenë të bashkuar në ndërtimin e një pozicioni më të fuqishëm në tryezën e bisedimeve me Beogradin, thotë deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Në procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kamberi thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po tenton të fitojë kohë meqë, sipas tij, ai e di që zgjidhja e procesit në fund do të jetë “e pafavorshme” për të. Megjithatë, sipas Kamberit, lidershipi atje tashmë e di se “çizmja serbe më nuk do ta shkelë Kosovën”.

Kamberi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se presidenti i Serbisë po tenton ta minimizojë fajësinë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Aleksandar Vuçiq po tenton që ta ulë fajësinë e Serbisë që e ka pasur në luftë dhe disi në procese që ekzistojnë të jetë i barabartë me vendet tjera. Sa i përket Kosovës, mendoj që privatisht ata e dinë që Kosova kurrë më nuk do të jetë Serbi, asnjëherë çizmja serbe më nuk do ta shkelë Kosovën… Por po mundohet që përmes kësaj loje gjeopolitike të përfitojë diçka atje. Dhe për të dalë nga kjo situatë me një përfitim, siç e thonë shpesh ata ‘nuk mundet njëri të fitojë gjithçka, tjetri të humb gjithçka’. Por, në anën tjetër nuk mund të dalë me qëndrim konkret për faktin se po të dalë me një kërkesë konkrete, siç shpesh mendohet se e ka kërkesën te veriu, atëherë ajo i bie që Vuçiq e pranon pavarësinë e pjesës tjetër të Kosovës dhe kjo ia ulë, në tryezën e bisedimeve, pazarin”, tha Kamberi.

Kamberi thotë se Vuçiq, përmes sulmeve terroriste, ka tentuar ta ndajë veriun e Kosovës.

Pjesa veriore u përball me tensione, sidomos në vitet e fundit. Në shtator të 2023-ës, terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit.

Një vit më vonë, më 29 nëntor 2024, kanali i lumit i Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, u dëmtua pas një shpërthimi të madh.

Autoritetet e Kosovës thanë se sulmi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës ishte terrorist dhe i orkestruar nga bandat kriminale të mbështetura nga Beogradi zyrtar.

“Aleksandar Vuçiq po mundohet të manipulojë për të përfituar kohë për të mos gjetur zgjidhje për Kosovën. Sepse e ka të qartë që zgjidhja që do të vjen në tavolinë është e pafavorshme për të dhe për regjimin e Serbisë. Ai ka premtuar gjithçka, ai ka premtuar kthimin dhe marshimin triumfal të ushtrisë serbe në Kosovë. Ka tentuar që përmes Banjskës të ndajë, skenarin e Qipros ta luaj, dhe ta ndajë veriun e Kosovës. Ka ndodhur sulmi tjetër terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës. Dhe Aleksandër Vuçiq tashmë e ka të qartë që me metodat e tilla në Kosovë, e ka fundin, nuk mundet”, shprehet Kamberi.

Derisa flet për dialogun e Brukselit, proces ky në të cilin Kosova ka hyrë që prej vitit 2011, Kamberi thekson nevojën për unitet të brendshëm.

“Mjerisht, çështja e unitetit të shqiptarëve nuk është e re, nuk është vetëm me këto raste (sulmeve terroriste në Kosovë). Në tërësi kur ekziston një skenë politike aq e zgjeruar dhe aq e fragmentarizuar, me shumë subjekte politike me interesa të caktuara për nivele lokale apo edhe shtetërore, ato me një formë ndikojnë edhe në ndërtimin e unitetit karshi një armiku çfarë është shteti i Serbisë. Prandaj edhe të gjithë ato komente, e vlerësimet se serbët e Kosovës janë në situatë të njëjtë siç ishin shqiptarët në vitet ‘90 nuk qëndrojnë dhe janë të dëmshme për Kosovën… Uniteti është i domosdoshëm karshi Serbisë dhe ky unitet duhet të shihet në veprime duke mbështetur qeverinë në ato kërkesat kryesore që i ka rreth Serbisë sepse është shumë e qartë se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë. Sepse është e vetmja rrugë e cila dëshmon se Serbia nuk do t’i përsëris ato krime”, deklaron ai.

Shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë – zonën që njihet si Lugina e Preshevës, vazhdojnë të përballen me diskriminim.

Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Serbia po vazhdon me “spastrim etnik” përmes pasivizimit të adresave.

“Nuk mund të pajtohemi, ne si shqiptarë në Luginë të Preshevës, që gjithë bashkësia ndërkombëtare flet vetëm për të drejtat e një komuniteti, në këtë rast të komunitetit serb, i cili edhe ashtu me Kushtetutën e Kosovën dhe planin e Ahtisaarit ka të drejta më shumë se çdo pakicë tjetër në Evropë. Të ndërtohet një pako tjetër, një instrument tjetër që ata do i bëjë pakicë të privilegjuar, ndërkohë që neve këtu (Luginë të Preshevës) na mohohen të drejtat elementare. Paqja dhe stabiliteti, paqja afatgjate e qëndrueshme në Ballkan ndërtohet duke i trajtuar pakicat në mënyrë të barabartë”, deklaron Kamberi.

Kamberi flet edhe për ndalesat e shqiptarëve në pikat kufitare me Serbinë dhe refuzimin që po iu bëhet kërkesave për vizita që ministrat e Kosovës po synojnë t’i zhvillojnë në Luginë.

“Është një politikë albanofobe që po ndiqet atje, por jo vetëm politika. Mediat janë ato që krijojnë atmosferën e përgjithshme duke i trajtuar shqiptarët si armiku i përgjithshëm i Serbisë dhe mandej ndaj armikut janë të lejuara të gjitha mjetet…Korridori i dhjetë nuk është vetëm korridor i Serbisë, është korridor i cili lidh Evropën qendrore me Greqinë me Detin Mesdhe. Prandaj edhe veprimet e tilla që ndërmerr policia e Serbisë janë edhe antinjerëzore”, shprehet ai për KosovaPress.

Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Serbisë ka miratuar një projektligj për “juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë”, si dhe një tjetër për shpalljen e Kosovës “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.

Kamberi thotë se, praktikisht, një projektligj i tillë është i pavlefshëm në Kosovë.

Tetova1 në Youtube

Mos e humb

IMG_9346
Broja luan titullar në humbjen e Everton, Manchester City rikthehet te fitorja
IMG_8466
Skenë e papranueshme në Tiranë, bokseri serb del në ring me këngë anti-Kosovë
IMG_8352
Masar Omeragiq zyrtarisht kryetar i ri i FFM-së: Nga nesër fillojmë me punë intensive
IMG_8293
Sot zgjedhjet kryetari i ri i FFM-së
IMG_8197
Mbape: Luka Modriçi ka më shumë tituj se sa unë që kam vjetë!

Më shumë nga kategoria

IMG_8293
Sot zgjedhjet kryetari i ri i FFM-së
IMG_8197
Mbape: Luka Modriçi ka më shumë tituj se sa unë që kam vjetë!
IMG_7738
Lamine Yamal merr çmimin “Golden Boy”
IMG_7415
Cana flet për përleshjen me tifozin serb: Ma kishte kafshuar gishtin, gati sa nuk ma këputi
IMG_7143
Shorti, Shqipëria rigjen Anglinë dhe sfidon Serbinë pas 10 vitesh
IMG_9981
Vritet në Ukrainë çetniku serb që ngrinte barrikada në veri të Kosovës
IMG_9980
Reforma strukturore në shëndetësi, Mickoski paralajmëron mbi 1000 punësime të reja
IMG_9974
Nesër varrosen viktimat e aksidentit në Saraj
IMG_9973
Përplaset autobusi FlixBus me pesë makina në Kroaci
IMG_9946
Aksidenti në rrugën Saraj-Rashçe, gjendet trupi i pajetë i pasagjerit të katërt
IMG_9966
Biden vendos të bllokojë shitjen e çelikut amerikan te blerësit japonez