Veprime të reja hetimore janë ndërmarrë nga Prokuroria e Shtetit për ta zbardhur rastin e vjedhjes së votave në fazën e numërimit për komunat e Obiliqit, Deçanit dhe Junikut. Por, pavarësisht se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit pritet të certifikohet përfundimisht në mesin e muajit shkurt, deri tash nuk është raportuar për intervistim të ndonjë kandidati për deputetë që ka përfituar vota nëpërmjet manipulimit të tyre gjatë procesit të numërimit
Pa asnjë përgjegjësi penale kandidatët me vota të vjedhura pritet të certifikohen si deputetë të Kuvendit të Kosovës, javën e ardhshme.
Prokuroritë në Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë dhe Prishtinë kanë arrestuar e intervistuar komisionerë e kryesues të komisioneve të numërimit, por nuk kanë konfirmuar nëse kanë intervistuar kandidatë për deputetë, të cilët ishin pjesë e garës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
KOHA ka pyetur këto prokurori për motivet që i kanë identifikuar deri tash te të dyshuarit për të kryer vepra penale, por disa nga to kanë thënë se janë në faza të hershme të hetimit. E për hapa të tjerë hetimorë njoftuan Prokuroria Themelore në Pejë dhe ajo në Prishtinë. Prokuroria e Prishtinës ka bërë të ditur se po heton numërimin e votave të Obiliqit.
“Më datë 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.










