Dy pasagjerë janë përleshur në një fluturim nga Londra për në Lisbonë për shkak të të qarave të një bebeje. Incidenti ka ndodhur pasi avioni i “Ryanair”-it kishte aterruar në aeroportin e Lisbonës.
Bebja kishte qarë gjatë gjithë fluturimit, por përleshja shpërtheu në momentin kur pasagjerët po përgatiteshin të zbrisnin nga avioni. Është thirrur policia, ndaj pasagjerët duhej të prisnin në avion derisa policët të mbërrinin dhe t’i largonin pjesëmarrësit në përleshje.
Një zëdhënës i “Ryanair” për “The Sun” deklaroi se ekuipazhi i fluturimit Londër–Lisbonë kishte kërkuar ndihmën e policisë, pasi dy pasagjerë ishin sjellë në mënyrë të papërshtatshme.
“Ryanair” ka politikë të tolerancës zero ndaj sjelljes së pahijshme të pasagjerëve dhe do të vazhdojë të ndërmarrë masa të rrepta kundër disiplinës së pasagjerëve”, thuhet në njoftimin e kompanisë ajrore.










