Trendy

Kaos total në negociatat SHBA-Iran, Trump anulon udhëtimin e Kushner dhe Witkoff në Pakistan

Para 2 orë

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka anuluar në moment të fundit udhëtimin e delegacionit amerikan drejt Islamabadit, duke thelluar sinjalet se negociatat me Iranin për një armëpushim janë në ngërç.

Në një deklaratë për Fox News, Trump bëri të qartë se nuk sheh arsye për të vijuar përpjekjet diplomatike në këtë fazë. “U thashë njerëzve të mi që po përgatiteshin të niseshin: ‘Jo, nuk do të bëni një fluturim 18-orësh për të shkuar atje. Ne kemi të gjitha kartat. Ata mund të na telefonojnë kur të duan, por nuk do të bëni më fluturime të gjata për të folur për asgjë’”, tha ai.

Delegacioni amerikan pritej të drejtohej nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, së bashku me Jared Kushner. Vizita kishte si qëllim kontaktet me përfaqësues iranianë për të avancuar drejt një armëpushimi në konfliktin në zhvillim.

Megjithatë, zhvillimet në terren tregojnë një bllokim të thellë diplomatik. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, është larguar nga Pakistani përpara mbërritjes së delegacionit amerikan, në një lëvizje që sinjalizon tensione të vazhdueshme mes dy vendeve.

Teherani ka përjashtuar qartë mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta në Islamabad. “Dy delegacionet nuk do të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta në Islamabad”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.

Gjatë qëndrimit në Pakistan, Araghchi zhvilloi takime me drejtuesit e vendit, përfshirë kryeministrin Shehbaz Sharif, i cili e cilësoi takimin si një shkëmbim “të menduar mirë” në një atmosferë “të ngrohtë dhe të përzemërt”. Sipas raportimeve të mediave, ministri iranian paraqiti qëndrimin e Teheranit mbi armëpushimin dhe përfundimin e luftës, duke theksuar edhe zhvillimet në rajon, përfshirë situatën në Liban.

Irani ka vendosur kushte të qarta për çdo përparim: heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, ndalimin e kërcënimeve ushtarake dhe përfundimin e luftës, si dhe refuzimin e kërkesave që i konsideron të tepruara, përfshirë heqjen dorë të plotë nga pasurimi i uraniumit.

Nga ana tjetër, ndërmjetësit pakistanezë shfaqen pesimistë për ecurinë e procesit, duke sinjalizuar se mundësia për një marrëveshje paqeje në këtë fazë mbetet e kufizuar.

Në këtë kontekst, anulimi i vizitës nga ana e Trump shihet si një konfirmim i bllokimit aktual diplomatik, me palët që mbeten larg një kompromisi dhe me tensionet që vijojnë të dominojnë skenën ndërkombëtare.

Trending