Tetovë – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar se nga kjo fundjavë do të vihet në funksion linja e autobusëve Tetovë – Kodra e Diellit dhe anasjelltas, duke lehtësuar qasjen drejt qendrës turistike malore.
Sipas njoftimit, linja do të fillojë të operojë nga e shtuna, më 17 janar, dhe do të jetë funksionale vetëm gjatë fundjavave. Kjo iniciativë synon të ofrojë një alternativë praktike për qytetarët dhe vizitorët që dëshirojnë të kalojnë kohën e lirë në Kodrën e Diellit, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.
“Kodra e Diellit mbetet destinacioni kryesor për ajër të pastër, rekreacion dhe momente të bukura me familjen dhe miqtë,” theksohet në mesazhin promovues të kryetarit Kasami.
Komuna e Tetovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë transportin publik, me qëllim uljen e trafikut rrugor, zvogëlimin e ndotjes dhe mbrojtjen e mjedisit.
Kodra e Diellit është një nga qendrat turistike më të frekuentuara në rajon, veçanërisht gjatë fundjavave, dhe vendosja e kësaj linje pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe përvojën e vizitorëve.











