Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mbrëmë ka qëndruar në lagjen Teteks 1, ku së bashku me bartësin e listës për këshilltarë Albi Qamili, shefin e shtabit zgjedhor për Tetovën, Besar Durmishi, zv.ministrin e Kulturës, Sedat Sulejmani, si dhe kandidatët tjerë për këshilltarë, është takuar për kafe me banorët e kësaj lagjeje.
Kasami me banorët ka biseduar për projektet që tashmë janë realizuar në Tetovë, për sfidat aktuale, pritshmëritë e qytetarëve, si dhe për planet e reja që do të bëjnë Tetovën më të zhvilluar, më të pastër dhe më të organizuar.
Banorët e Teteksit 1 shprehën vendosmërinë e tyre që më 19 tetor të përkrahin vizionin për një Tetovë me zhvillim të hovshëm, duke theksuar se besojnë në vazhdimin e projekteve të nisura.
Kasami theksoi se përmes bashkëpunimit me qytetarët, Tetova do të vazhdojë të ndërtohet si një qytet që të gjithë e meritojnë.





