Gazetar: Zekirija Haxhiu
Njëri nga liderët e partisë VLEN, Bilall Kasami njofton se këtyre ditëve do të formohen grupe të punës për të zgjidhur çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kasami thotë se është e drejtë e studentëve që provimit t’i nënshtrohen në gjuhën e tyre amtare.
“Ajo garanci ka qenë dhe publike edhe nga ana e kryeministrit. Kanë të drejtën e plotë studentët e drejtësisë të cilët fakultetin e mbarojnë në gjuhën e tyre amtare që edhe provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën e tyre”, deklaroi Bilall Kasami – Bashkëkryetar i VLEN.
Për dallim nga Kasami, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se tashmë ka një komision me ekspertë kushtetues. Sipas tij po punohet për zgjidhje në përputhje më Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare. Mickoski tha se Ligji për përdorimin e gjuhëve është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa mendimi i Komisionit të Venecias ka qenë negativ në pjesën e përdorimit të dygjuhësisë në procedurat gjyqësore dhe rekomandon kthimin e versionit të ligjit që ishte miratuar në vitin 2008-2009.
“Studentët të cilët studiojnë fakultetin e drejtësisë në gjuhën amë, në këtë rast gjuhën shqipe kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe janë pjesë e sistemit arsimor në Maqedoni. Ne formuam komision të përbërë nga ekspertë të Kushtetutës dhe e njëjta punon për gjetjen e zgjidhjes e cila do të jetë edhe kushtetuese edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Nuk garantohet barazia në sundimin e ligjit dhe për këtë shkak Komisioni i Venecias fuqishëm propozojnë që të kthehemi në ligjin e vitit 2008/2009”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Një ditë më parë studentët dolën në protestë me kërkesën e mundësimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Nëse s’ka zgjidhje paralajmëruan protesta të reja para Ministrisë së Drejtësisë./Alsat.mk.










