Trendy

Kasami në “Ora24”: Tetova sot është ndër qytetet më të pastra në Maqedoni, kemi realizuar shumë projekte kapitale

Para 6 muaj

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në një intervistë për “Ora24” ka folur për mandatin katërvjeçar, planet për mandatin e ri, si dhe akuzat që i bëhen nga opozita.

Sa i përket çështjes së menaxhimit me mbeturinat dhe pastërtisë në qytet, Kasami tha se Tetovën e ka bërë ndër qytetet më të pastra në Maqedoninë e Veriut.

“Për momentin Tetova është ndër qytetet më të pastra në Maqedoninë e Veriut. Së bashku me partnerin privat, shkollat, sektorin civil dhe gjithë qytetarët, punojnë në ngritjen e vetëdijes për hedhjen e mbeturinave aty ku e kanë vendet. Kemi situatë kur kontejnerët janë të zbrazët ndërsa ka mbeturina rreth tyre. Kemi qendër për hedhjen e mbeturinave shtëpiake, e cila është falas për qytetarët. Pa pagesë kemi angazhuar edhe ndërmarrjen komunale që të shkojë deri në shtëpi dhe t’ua marrë këto mbeturina qytetarëve. Por fatkeqësisht ende kemi qytetarë të papërgjegjshëm të cilët hedhin mbeturina gjithandej. Tetova e ka zgjidhur këtë problem, por duhet të kontribuojnë edhe qytetarët”, tha Kasami.

Ndërsa i pyetur për akuzat e kundërkandidatit të tij Bajram Rexhepi, se disa qytetarë kanë përfunduar në përmbarues nga kompania private përgjegjëse për menaxhimin me mbeturinat, Kasami tha se kundërkandidati i tij nuk e ka idenë se si punohet në Komunën e Tetovës.

“Kundërkandidati tregon që nuk ka vizion dhe nuk ia ka idenë se ku futet dhe sikur nuk e dinë se çfarë ndodh në Komunën e Tetovës. Është procedurë për PPP e realizuar në bazë të ligjit dhe është mashtrim nga ai që mund të prishë marrëveshje që është realizuar në bazë të ligjit, dhe për më shumë që Tetova sot është më e pastër. Vetëm që disa qytetarë nuk duan të paguajnë për menaxhimin me mbeturinat, nuk mendoj që kundërkandidati duhet të futet në këtë lojë dhe të premtojë që nuk do të ketë kompani që do të menaxhojë me mbeturinat”, tha Kasami.

Trending