Plani gjeneral urbanistik, zgjidhja e problemit me parkingjet, rregullimi i sistemit të ujësjellësit dhe vazhdimi i hapjes së bulevardit, janë sfidat e mbetura për vitin e ardhshëm për kreun e komunës së Tetovës Bilall Kasami. Në konferencë për media tha se me një seriozitet sikurse deri më tani, do t’i qaset zgjidhjes së këtyre problemeve për banorët e Tetovës. Kasami paralajmëroi formimin e policisë komunale, e cila do të kontribuojë në ruajtjen e rendit publik
“Në kuadër të planit gjeneral urbanistik kemi porositur një studim të mobilitetit përmes të cilit do e zgjidhim edhe çështjen e parkingut, edhe çështjen e regjimit të rrugëve dhe transportit publik apo uzurpimit të trotuareve. Përmes këtij studimi ne përfundimisht do e zgjidhim çështjen se ku do mund të ketë parkingje të hapura apo zonale. Gjithashtu me Drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim do ulemi të flasim edhe për mundësinë e rehabilitimit të strehimoreve të qytetit që për momentin nuk shfrytëzohen, të kthehen në parking dhe strehimore”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Kasami tha se po punohet intensivisht edhe për investitorin për në kodër të Diellit, pasi, plani detal urbanistik për kodrën e Diellit është në përfundim e sipër dhe është në Ministri të Transportit.
“Bashkë me Ministrin e transportit dhe ministrin e punëve të jashtme e kemi takuar investitorin dhe u dhanë udhëzimë se si duhet të vazhdoj më tej investitori Italian dhe cilat informatat që na duhen neve si Qeveri për të marrë një vendim adekuat për fazat e mëtejme”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Kasami tha se po punohet edhe në drejtim të ndërrimit të emrave të rrugëve. Ai tha se vetëm në shtrim të rrugëve të reja janë investuar diku rreth 3 milion euro, investime këto që pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2025. /Alsat.mk