Dega e BDI-së në Tetovë ka akuzuar udhëheqësinë e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” për keqmenaxhim dhe mospagesë të rrogave për punëtorët. Liridon Disha, përfaqësues i kësaj dege, kërkoi sqarim publik nga ndërmarrja për situatën financiare dhe pagesat e mbetura.
“Nëse as buxheti prej 60 milionë denarësh për vitin e kaluar nuk mjaftoi për të siguruar pagat bazë të punëtorëve, atëherë sa para do duhet të japin qytetarët e Tetovës që udhëheqësit e komunës të mjaftohen? Ne ngrisim dyshime serioze për rrjedhje fondesh dhe keqmenaxhim sistematik. Prandaj pyesim publikisht kryetarin Bilall Kasami: Në xhepat e kujt përfundojnë paratë publike të NPK-së? A përfundojnë ato në duart e familjarëve, shokëve të partisë apo të të punësuarve fiktivë?”, tha Disha.
Në reagimin e tij, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar si pjesë e një strategjie politike të BDI-së për të krijuar mjegull mediatike mbi punën e ndërmarrjes dhe komunës.
“Është ironike press konferenca e BDI-së. Për 20 vite pushtet në Tetovë ndërmarrjen komunale e la në gjendje të mjerueshme. Nuk është e vërtetë se punëtorët kanë vonesa, por un do kisha thënë se është i turpshëm reagimi i BDI-së. Në këtë rast nuk ja vlen që unë t’i përgjigjem”, deklaroi Kasami.
Edhe drejtori i NPK “Tetova”, Samet Bislimi, konfirmoi se nuk ka vonesa në paga dhe se pagesat janë kryer me rregull.
“Me rrogat jemi zero. Edhe në muajin e gjashtë e kanë marr rrogën. Jemi duke punuar për kushtet edhe për kontributet t’i mbulojmë ashtu siç i mbuluam rrogat, ashtu t’i mbulojmë edhe kontributet”, theksoi Bislimi.
Komuna e Tetovës nën drejtimin e Kasamit, gjatë vitit 2024 ndau gjithsej 60 milionë denarë për pagesat e punëtorëve të ndërmarrjes, duke e tejkaluar disa fish mbështetjen që në të kaluarën ishte vetëm 25 milionë denarë në vit.










