Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) kanë marrë pagat dhe kontributet e tyre, duke theksuar se nuk ka më paga të prapambetura, përcjell tetova1
Kasami, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se kjo është hera e parë pas më shumë se 15 vitesh që punëtorët e NPK-së kanë pagat dhe kontributet e paguara.
Ai këtë e cilësoi si një ditë të veçantë, duke falënderuar drejtorin e NPK-së, Samet Bislimi, si dhe punëtorët për angazhimin dhe shërbimin ndaj qytetarëve të Tetovës.
Postimi i plotë i Kasamit:
“Pas më shumë se 15 vitesh, për herë të parë, punëtorët e NPK-së me paga dhe kontribute të paguara. Asnjë pagë e prapambetur.
Sot, në Sheshin „ILIRIA“, së bashku me drejtorin Samet Bislimi dhe punëtorët e NPK-së, shënuam një ditë të veçantë.
Ne e premtuam dhe sot e realizuam.
E falënderoj drejtorin Samet Bislimi për angazhimin, përkushtimin dhe punën e palodhshme çdo ditë.
Një falënderim i veçantë për punëtorët e NPK-së, të cilët për vite me radhë, edhe në kushte të vështira, kanë vazhduar t’i shërbejnë qytetarëve të Tetovës. Sot ata kanë atë që meritojnë, pagë të paguar, kontribute të paguara dhe dinjitet në punë!
Ky është ndryshimi që kemi premtuar!”, ka përfunduar Kasami./tetova1.mk
















