Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka promovuar sot përfundimin e punimeve në rrugën “Mihajllo Rajçeviq” në lagjen Cetinsk, projekt të cilin e cilësoi si një zgjidhje përfundimtare për një problem të kahershëm të banorëve të kësaj zone.
Sipas Kasamit, ndërhyrja nuk është kufizuar vetëm në asfaltimin e rrugës, por ka përfshirë edhe ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit, me qëllim krijimin e një infrastrukture më moderne dhe funksionale.
“Me shumë kënaqësi promovuam sot përfundimin e punimeve në rrugën ‘Mihajllo Rajçeviq’ në lagjen Cetinsk, një projekt që i jep fund një problemi shumëvjeçar dhe u sjell banorëve infrastrukturë moderne e dinjitoze. Përveç asfaltimit të rrugës, realizuam edhe ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke investuar në infrastrukturën nëntokësore që garanton zgjidhje afatgjate”, ka deklaruar Kasami.










