Kryetari i Lëvizjes Besa, Billall Kasami mblodhi sonte Kuvendin Qendror të partisë, për të diskutuar siç tha ai pozitën e tyre partiake në qeverinë aktuale.
Në press konferëncë, Kasami tha se është marrë vendimi për shkarkimin e Kryesisë së partisë, dhe vazhdimin e iniciativës drejt shkrikrjes në VLEN.
KUMTESË
Lëvizja Besa: Kuvendi shkarkoi kryesinë e partisë, hap i rëndësishëm drejt shkrirjes së VLEN-it në një subjekt
Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa me shumicë votash miratoi vendimin për shkarkimin e Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Besa, në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm.
Kuvendi i Lëvizjes vlerësoi se duhet të hapet rruga për strukturimin e VLEN-it dhe e solli këtë vendim bazuar në moratoriumin e aktiviteteve partiake nga subjektet që përbëjnë VLEN-in.
Me këtë rast, Kuvendi autorizoi kryetarin Bilall Kasami të vijojë bisedimet për të ardhmen e VLEN-it, duke i dhënë mbështetje bashkimit në një subjekt të vetëm, me një zgjidhje që respekton parimin e drejtësisë dhe dëgjon zërin dhe vullnetin e votuesit të VLEN-it dhe gjithë shqiptarëve.
Në mbledhjen e Kuvendit u diskutua gjithashtu puna e funksionarëve të Lëvizjes Besa në Qeveri. Kuvendarët e përkrahën konstatimin e kryetarit Kasami se Besa ka kapacitet për shumë më shumë punë sesa është bërë deri tani.
Analiza e punës së funksionarëve do të vijojë në ditët në vijim, ndërsa konstatimet e gjetura do të reflektohen në rikonstruimin e ardhshëm të Qeverisë.
Lëvizja Besa vlerëson se postet në Qeveri janë mjet për shërbimin tonë sa më të mirë dhe më efikas ndaj qytetarëve, veçanërisht shqiptarëve, dhe të gjitha vendimet e ardhshme do të mbështeten në këtë parim.










