Lagjja Dardania në Tetovë po përjeton një transformim rrënjësor falë projekteve të ndërmarra nga Komuna nën udhëheqjen e kryetarit Bilall Kasami. Ai ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se disa nga problemet shumëvjeçare të kësaj zone janë zgjidhur përfundimisht, ndërsa punët e tjera janë në fazë të avancuar.
“Një ndër punët e para që kemi realizuar që në fillim të mandatit ishte rregullimi i ujësjellësit të kësaj zone, si dhe rregullimi i ndriçimit publik. Sot vizitova lagjen për t’i parë punimet për rrethojën e lumit ‘Shkumbin’, që i jep pamje krejt të re kësaj pjese të qytetit”, ka deklaruar Kasami.
Ai ka theksuar se është duke u bërë edhe zgjidhja përfundimtare e problemit me kanalin e ujitjes, duke u siguruar që bujqit e kësaj zone të mos përballen më me vështirësi në furnizimin me ujë. Përveç kësaj, është dhënë urdhër për fillimin e punimeve të kanalizimit, me ç’rast pritet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë çështja e bllokimeve të nënkalimeve gjatë reshjeve. Kanalizimi i hapur në këtë zonë do të zëvendësohet me sistem modern në gypa.
Një tjetër investim i rëndësishëm është shenjëzimi i trasimit të rrugës Mehmet Pashë Deralla, duke i dhënë kësaj lagjeje infrastrukturë të plotë dhe funksionale.
Kasami paralajmëroi se shumë shpejt lajme të mira do të vijnë edhe për banorët e Qendrës, duke e shndërruar Dardaninë në shembull të transformimit urban dhe të përkushtimit të Komunës për zhvillimin e Tetovës.










