Katari deklaroi se shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, “nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”.
Netanjahu të hënën tha se sulmi izraelit i javës së kaluar në Doha, ku u vranë pesë anëtarë të Hamasit, ishte një “mesazh”, duke pohuar se operacioni nuk ishte i pasuksesshëm.
“Jemi mësuar që kryeministri izraelit të përpiqet të shpërqendrojë vëmendjen dhe të justifikojë dështimet e tij pas çdo disfate që pëson për shkak të politikave të tij të papërgjegjshme”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, në një brifing me gazetarët në Doha.
“Gjithashtu duam t’i dërgojmë një mesazh – shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, shtoi ai.
Lidhur me përpjekjet ndërmjetësuese të Katarit për arritjen e një armëpushimi në Gazë, Ansari tha se “një gjë e tillë nuk duket realiste, sepse kryeministri izraelit dëshiron të vrasë të gjithë ata që negociojnë me të dhe të bombardojë vendin ndërmjetësues”.
“Katari aktualisht është plotësisht i përqendruar në mbrojtjen e sovranitetit të tij kombëtar, duke iu përgjigjur sulmit të fshehtë izraelit, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që kjo të mos përsëritet dhe duke i thirrur në përgjegjësi ata që mbajnë fajin”, tha Ansari, duke shtuar se “të gjitha çështjet e tjera politike janë dytësore përballë situatës së sotme”.
Katari, së bashku me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, po ndërmjetëson në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, ku që nga tetori i vitit 2023 kanë humbur jetën gati 65.000 palestinezë.










