Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në disa zona të vendit, me shtëpi të përmbytura, dalje të lumenjve nga shtrati dhe rrëshqitje dheu. Një nga pikat më kritike është rajoni i Kërçovës, ku mbi 200 persona janë evakuuar për shkak të përmbytjeve.
Deputeti Gjorgjia Sajkovski nga VMRO-DPMNE ka publikuar fotografi nga gjendja në Kërçovë, duke akuzuar udhëheqjen e mëparshme të komunës për neglizhencë dhe mungesë masash parandaluese.
“Për shkak të viteve të tëra neglizhencë, mosveprimi dhe mungesës së masave parandaluese nga udhëheqja e mëparshme, Kërçova sot po përballet me përmbytje serioze dhe katastrofale pas reshjeve të dendura”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, njoftoi se në terren janë angazhuar ekipe dhe mekanizëm të rëndë për pastrimin e pikave kritike, largimin e baltës dhe mbeturinave që bllokojnë kanalet, si dhe hapjen e kanaleve të mbuluara. Po ashtu, po bëhet pompimi i ujit dhe sigurimi i qasjes në amvisëritë e rrezikuara, aty ku kushtet e lejojnë.
Ekipe të komunave, shërbimeve zjarrfikëse dhe institucioneve për mbrojtje dhe shpëtim po ndërhyjnë vazhdimisht në pikat kritike në rajonet e Shkupit, Kumanovës, Tetovës, Gostivarit dhe Ohër–Kërçovë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara deri në orën 17:00 nga Qendra për Menaxhim me Kriza, në komunën e Sarajit janë ndërmarrë aktivitete të koordinuara pas përmbytjeve në fshatrat Bukoviq dhe Semenishtë. Në terren po intervenojnë ekipet e Komunës së Sarajit, Brigada e Zjarrfikësve të Shkupit, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, me qëllim pastrimin dhe tharjen e zonave të prekura.
Në rajonin e Kumanovës, lumi Sllupçanka ka dalë nga shtrati në fshatin Opae, duke përfshirë një pjesë të vendbanimit, ndërsa më së shumti janë përmbytur sipërfaqe bujqësore.
Reshjet intensive në rajonin e Tetovës kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe probleme me kanalet e kullimit. Qarkullimi është ndërprerë në aksin Tetovë – Xhepçishtë për shkak të një rrëshqitjeje dheu, ndërsa rruga drejt Jeduarcës është riaktivizuar. Po pastrohen kanalet e bllokuara në Shemshovë dhe në drejtimin Trebosh – Jazhincë. Rruga për në Kodrën e Diellit është e kalueshme, por me vështirësi, ndërsa që nga mëngjesi është vendosur ndalim për qarkullimin e mjeteve të rënda dhe autobusëve. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza bëhet e ditur se aktualisht nuk ka rrezik nga dalja e lumenjve më të mëdhenj.
Në rajonin e Gostivarit janë raportuar disa shtëpi, bodrume dhe objekte ekonomike të përmbytura në komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë. Në fshatin Bellovishtë janë shpëtuar persona të bllokuar në një objekt të përmbytur.
Në Forinë është regjistruar dalje e lumit Vardar nga shtrati, me rrezik për shtëpitë përreth, për çka është angazhuar mekanizëm për pastrimin e shtratit të lumit.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza theksojnë se disa prej ndërhyrjeve po zhvillohen në kushte të vështira për shkak të resurseve të kufizuara teknike.










