Trendy

Klima e Tokës po u afrohet pikave të pakthyeshme

Para 6 muaj

Pylli tropikal i Amazonës është aq i madh sa krijon klimën e vet. Ndërsa kryejnë fotosintezë dhe gjatë avullimit, miliarda pemë prodhojnë së bashku mjaftueshëm lagështi për të formuar re.

Këto, sipas disa vlerësimeve, janë përgjegjëse për të paktën një të tretën e reshjeve jetike të pyllit. Por ndryshimet klimatike po e prishin këtë proces ciklik.

Akumulimi i gazeve serrë në atmosferë ka rritur temperaturat rajonale, ka përkeqësuar thatësirat dhe ka shtuar rrezikun e zjarreve. Të gjitha këto vrasin pemët.

Më pak pemë do të thotë më pak reshje, temperatura më të larta dhe më shumë zjarre. Shpyllëzimi i shkaktuar nga ndryshimet klimatike rrezikojnë të bëhen një rreth vicioz.

Dhe sa më shumë njerëzit me sharra elektrike ‘ndihmojnë’ këtë proces, aq më shpejt do të vijë dita e zymtë kur pylli do të jetë tkurrur aq shumë sa nuk do të ketë më mundësi rikuperimi.

Pjesa më e madhe e basenit do të shndërrohet në savanë të thatë dhe dhjetëra miliarda tonë dioksid karboni të magazinuar aty do të çlirohen në atmosferë, duke ngrohur edhe më tej planetin.

“Amazon dieback”, siç njihet ky skenar i zymtë, është vetëm një shembull i asaj që shkencëtarët e klimës e quajnë pikë kthimi: një prag përtej të cilit proceset vetëmbajtëse e shtyjnë në mënyrë të pakthyeshme një pjesë të sistemit klimatik të Tokës nga një gjendje në një tjetër.

Ata që i studiojnë besojnë se ka edhe shumë shembuj të tjerë.

Këto përfshijnë shkrirjen e shtresës gjigante të akullit të Groenlandës, që do të rriste nivelin global të deteve me më shumë se shtatë metra, si dhe kolapsin e Qarkullimit Meridional të Atlantikut (AMOC), sistemit të fuqishëm të rrymave oqeanike që shpërndajnë nxehtësinë dhe e mbajnë Europën Veriore me klimë relativisht të butë.

Trending