Nga Kolonel Muhaedin Bela PHD
Simboli i “Liqeneve të paqes” dhe një vend ideal për mbledhjet e “Bordit të Paqes”
Kolonel Muhaedin Bela i ka shkruar një letër publike Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me anë të së cilës i propozon që Maqedonia e Veriut të jetë një nga vendet mikpritëse për takimet e Bordit të Paqes”.
Doktor i shkencave të mbrojtjes, i arsimuar edhe në Shkollën e Qeverisjes “Kennedy” në Universitetin e Harvardit, Bela propozon edhe që Liqenet e Ohrit dhe të Prespës të shpallen si “Liqene të Paqes” për shkak të marrëveshjeve të njohura të nënshkruara pranë tyre dhe pozicionit të rëndësishëm strategjik mes Shqipërisë, Greqisë, dhe Maqedonisë së Veriut.
Koloneli shqiptar ofron shërbimet e tij për të këtë vizion dhe i tregon presidentit amerikan për figurat e mëdha që kanë dalë nga këto troje si nobelistët shqiptarë Nënë Tereza dhe Ferid Muradi.
Më poshtë vijon teksti i plotë i letrës:
LETËR E HAPUR
Drejtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Donald J. Trump
I nderuari President Trump,
Si kolonel me përvojë shumëvjeçare në pjesëmarrje në misione paqeruajtëse, përfshirë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe në hulumtime dhe angazhime në misione humanitare dhe paqësore, mbështes çdo iniciativë që synon paqen, stabilitetin dhe mirëqenien globale.
Pas informimit për formimin e një “Bordi të Paqes”, vendosa T’ju drejtohem me këtë letër publike për të shprehur mbështetjen time, por edhe për të propozuar një ide që e konsideroj fisnike, domethënëse dhe me vlerë të veçantë jo vetëm për mua dhe vendin tim, por edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komunitetin ndërkombëtar në tërësi.
Ideja ime është që Republika e Maqedonisë së Veriut, si një shtet relativisht i ri dhe unik për shkak të karakteristikave të saj historike dhe gjeografike, të shërbejë si vend mikpritës i takimeve të këtij Bordi të Paqes. Ky vend ka qenë skenë e disa marrëveshjeve ndërkombëtare me rëndësi historike, si Marrëveshja e Kumanovës (1999), Marrëveshja Kornizë e Ohrit (2002), Marrëveshja e Prespës (2018) dhe proceset e dialogut të Ohrit (2023).
Propozoj që Ju, si President i SHBA-ve dhe Partner Strategjik i Maqedonisë së Veriut, së bashku me përfaqësuesit e vendeve tona dhe të rajonit, të shpallni Liqenin e Ohrit dhe Liqenin e Prespës si “Liqene të Paqes”. Kjo do ta poziciononte vendin tonë si një “shtëpi e paqes”, ku do të mirëpriteshin iniciativa, marrëveshje dhe dialogje që promovojnë paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën globale.
Një aktivitet i tillë do të kishte ndikim të shumëfishtë qe dmth do të përçonte një mesazh të fuqishëm paqeje për botën, do të forconte lidhjet miqësore ndërmjet palëve në nevojë për dialog dhe do të sillte zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, kulturor dhe historik për rajonin.
Këta dy liqene ndodhen në trekëndëshin Maqedoni e Veriut – Shqipëri – Greqi dhe secili ka veçoritë e veta unike. Në brigjet e Liqenit të Ohrit është zbuluar një nga vendbanimet më të vjetra të njohura në botë fshati Lin; liqeni është i përfshirë në listën e UNESCO-s si trashëgimi e kombinuar natyrore dhe kulturore. Ndërsa Liqeni i Prespës është liqeni tektonik më i lartë në Ballkan, i pasur me biodiversitet të jashtëzakonshëm të florës dhe faunës.
Kjo ide fiton edhe më shumë peshë kur kujtojmë se në këto troje ka lindur dhe është rritur Shën Tereza, laureate e Çmimit Nobel për Paqe, si dhe se këtu kanë rrënjët figura të shquara botërore si nobelisti Ferid Murad. Nga ky rajon kanë dalë gjithashtu shumë sportistë me medalje olimpike, evropiane dhe botërore, duke dëshmuar potencialin njerëzor dhe kulturor të tij.
Prania e një Bordi të Paqes në një shtet të Ballkanit Perëndimor do të kishte efekt të pamohueshëm në nxitjen e dialogut, ndërtimin e besimit dhe zgjidhjen e sfidave që historikisht e kanë bërë këtë rajon kompleks.
Nëse fjala “Ball-kan” (mjalte-gjak) shpesh lidhet simbolikisht me kontraste dhe histori të dhimbshme, ju lutem që përmes një iniciative të tillë të zbehet “gjaku” dhe të mbizotërojë “mjalti” – paqja, bashkëpunimi dhe shpresa.
Si ushtarak, e ndjej detyrim të theksoj se, edhe pse një shtet i vogël, Maqedonia e Veriut ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në misione paqeruajtëse të udhëhequra nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO, sic jane: Iraqi Freedom, UNIFIL, ALTHEA, EUTM CAR, ISAF, KFOR dhe Enhanced Forëard Presence.
Si kolonel dhe doktor i shkencave të mbrojtjes, i arsimuar edhe në Harvard Kennedy School of Government, shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar profesionalisht dhe institucionalisht në realizimin e këtij vizioni, nëse ai do të konsiderohet i pranueshëm.
Me respekt të thellë,










