Komisioni Evropian (KE) iu bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të vazhdojnë zbatimin e angazhimeve të marra dhe të ndërtojnë Korridorin 8 nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri, në kohën kur përplasjet midis partive opozitare në Maqedoninë e Veriut dhe qeverisë për drejtimin përfundimar të këtij projekti vazhdojnë.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Zhurnal.mk se është “i vetëdijshëm” për diskutimet e brendshme në Maqedoninë e Veriut, pasi partitë opozitare shqiptare pretendojnë se qeveria po synon që të ndryshojë rrugën e tij e të lidhet me Korridorin 10D e ta dërgojë atë në kufirin me Greqinë, gjë që zyrtarët qeveritarë e kanë mohuar deri më tash.
“Ne jemi të vetëdijshëm për diskutimet e fundit në lidhje me trajektoren e rrugëve përgjatë Korridorit VIII. Së bashku me partnerët tanë, po i monitorojmë nga afër zhvillimet. Ne inkurajojmë fuqimisht zbatimin e plotë të të gjitha angazhimeve të marra. Korridori VIII është me rëndësi strategjike për të dy vendet [Maqedoni e Veriut e Shqipëri], si dhe për BE-në, shtetet e saj anëtare dhe Ballkanin Perëndimor”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian në një përgjigje me shkrim për Zhurnal.mk.
I pyetur lidhur me pohimet e opozitës shqiptare në vend e cila ka pretenduar se qeveria nuk e ka ndërmend të vazhdojë punimet deri në kufirin me Shqipërinë dhe akuzon se synohet t’i ndërrohet krejtësisht drejtimi, zëdhënësi i KE tha se “nuk është informuar zyrtarisht për ndonjë ndryshim të propozuar në rrugën e parashikuar të Korridorit VIII”, dhe as nuk është përfshirë në ndonjë diskutim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut mbi ndryshimin eventual të drejtimit të korridorit.
“Korridori VIII mbetet i pandryshuar në konfigurimin e tij origjinal. Komisioni Evropian nuk ka marrë pjesë në asnjë diskutim me autoritetet në lidhje me një ridrejtim të mundshëm të Korridorit VIII dhe as në propozime për ta lidhur atë me korridorin Xd. BE vazhdon të mbështesë zhvillimin e Korridorit VIII, i cili është me rëndësi strategjike”, shtoi zëdhënësi në përgjigjen për Zhurnal.mk.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut thotë se aktualisht po studion opsionet për një segment pranë Liqenit të Ohrit deri në kufirin me Shqipërinë, për shkak të shqetësimeve për zonën e mbrojtur të UNESCO-s dhe ndikimin eventual në mjedis dhe trashëgiminë kulturore, por duke ruajtur planet origjinale për të arritur projekti në kufirin me Shqipërinë.//Zhurnal.mk










