Komisioni për mbikëqyrje mbi Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe Inteligjencën nuk arriti të kryejë mbikëqyrje dhe të verifikojë nëse kryeministri Hristijan Mickoski ishte ndjekur dhe përgjuar ndërsa ishte në opozitë, sepse për rastin Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion hapi hetim. Deputetja nga radhët e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, e cila kryesonte Komisionin për këtë çështje, thotë se personalisht mendon se Komisioni duhet ta përfundojë atë që e ka filluar.
“Për fat të keq unë jam aty në pakicë në komision, unë me të vërtetë do të doja të ekzistonte vullnet, sidomos te kolegët nga shumica parlamentare, që komisioni ta përfundojë detyrën e vet, sepse ne kemi kompetencë dhe detyrim ndaj qytetarëve, ndaj Kuvendit,” deklaroi Sllavjanka Petrovska, deputete e LSDM-së .
Nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion thonë se rasti është në fazë parahetimore. Hetuesit kanë kontrolluar dokumentacionin në ASK-së me qëllim gjetjen e provave që do të konfirmonin pretendimet nga kallëzimi. Sipas Petrovskës, rregullorja është e qartë, Kuvendi nuk ka rol hetimor, por vetëm mbikëqyrës, dhe për këtë arsye nuk ka pengesa që Komisioni ta përfundojë punën e vet.
“Personalisht unë nuk mendoj se puna e prokurorisë, pa marrë parasysh në cilën fazë është, nuk kam qasje në atë, se ne do ta pengonim në çfarëdo mënyre ose do ta dëmtonim hetimin eventual, nëse ai ekziston,” tha Sllavjanka Petrovska, deputete e LSDM-së .
Në shtatorin e kaluar kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se derisa ishte në opozitë, por edhe personalitete të tjera publike, gazetarë e biznesmenë, ishin ndjekur dhe përgjuar. Por ish-drejtori i ASK-së Viktor Dimovski i mohoi këto pretendime dhe kërkoi nga drejtori aktual i Agjencisë, Bojan Hristovski, që menjëherë t’i deklasifikojë dokumentet për abuzimet e pretenduara. /Alsat.mk










