Komuna e Çairit ka reaguar zyrtarisht lidhur me incidentin e ndodhur së fundmi në territorin e saj, ku Kryetarja e Qytetit të Shkupit, znj. Danella Arsovska, u përball me një sulm fizik nga disa individë. Në deklaratën për media, Komuna e dënon ashpër këtë ngjarje dhe thekson se nuk ka asnjë lidhje institucionale me të.
“Akte të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë një shkelje serioze të normave të sjelljes në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar.”
Komuna nënvizon se asnjë i punësuar apo funksionar i saj nuk ka qenë i përfshirë në incidentin në fjalë:
“Duke vlerësuar rëndësinë e informimit të drejtë të opinionit publik, theksojmë se ngjarja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me institucionin tonë. Asnjë i punësuar apo funksionar i Komunës së Çairit nuk ka qenë i përfshirë dhe as i pranishëm në vendin ku ndodhi incidenti.”
Duke riafirmuar përkushtimin ndaj rendit dhe bashkëjetesës ndërkomunitare, Komuna e Çairit i bën thirrje autoriteteve shtetërore që të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore:
“Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, respektimit të institucioneve dhe promovimit të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë territor.”
“U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm, në përputhje me procedurat ligjore, për zbardhjen e plotë të rastit dhe garantimin e qetësisë publike.”
Deklarata vjen menjëherë pas incidentit që ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe skenën politike në vend.





