Partia “E Majta” – Dega në Kumanovë ka reaguar lidhur me nivelin e borxhit të Komunës së Kumanovës, duke pretenduar se komuna, së bashku me ndërmarrjet publike, institucionet dhe shkollat që janë nën kompetencën e saj, ka detyrime të përgjithshme prej mbi 17 milionë eurosh, raporton gazeta KOHA.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për borxhin publik të institucioneve deri në fund të tremujorit të dytë të vitit 2026, të cilave u referohet partia, detyrimet e përgjithshme të Komunës së Kumanovës dhe subjekteve të saj arrijnë në 1.058.650.858 denarë, përkatësisht 17.190.586 euro.
Nga Dega e partisë “E Majta” në Kumanovë thonë se 87,5 për qind e këtij borxhi u përket ndërmarrjeve publike të komunës. Sipas përllogaritjeve të tyre, ndërmarrjet publike kanë detyrime prej gjithsej 927.329.401 denarësh, nga borxhi i përgjithshëm prej 1.058.650.858 denarësh.
Ndërkohë, sipas reagimit, në arkën e vetë Komunës së Kumanovës evidentohen detyrime të arritura dhe të papaguara në vlerë prej 28.811.240 denarësh, si dhe detyrime ende të paarritura për pagesë në vlerë prej 82.491.258 denarësh.
Borxhi i përgjithshëm që i atribuohet drejtpërdrejt arkës komunale arrin në 111.302.498 denarë, përkatësisht rreth 1.809.157 euro. Nga “E Majta” thonë se shqetësues është edhe fakti që borxhi i përgjithshëm i Komunës së Kumanovës nuk ka shënuar ulje krahasuar me tremujorin paraprak, por, përkundrazi, është rritur për më shumë se 100 milionë denarë.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se, krahasuar me tremujorin paraprak, borxhi i përgjithshëm i Komunës së Kumanovës, në vend që të tregojë prirje rënëse, është rritur për mbi 100 milionë denarë”, thuhet në reagimin e partisë.
Dega e partisë “E Majta” në Kumanovë kërkon nga autoritetet komunale të sqarojnë se për çfarë detyrimesh bëhet fjalë dhe si është krijuar borxhi i përgjithshëm prej mbi një miliard denarësh. “E Majta” kërkon përgjigje edhe nëse Komuna e Kumanovës ka një plan për ta vënë nën kontroll arkën e saj dhe financat e ndërmarrjeve publike komunale.
“Kërkojmë nga Komuna e Kumanovës të shpjegojë se nga burojnë këto detyrime për pagesë, të cilat e çojnë borxhin e përgjithshëm në një miliard denarë, dhe nëse komuna planifikon ta frenojë shpenzimin e pakontrolluar nga arka e saj dhe nga arkat e ndërmarrjeve publike”, thuhet më tej në reagim. <span;>Nga kjo parti e lidhin gjendjen financiare të komunës edhe me problemet e menaxhimit të mbeturinave në qytet.











