Komuna e Tetovës ka reaguar ndaj deklaratave publike të z. Bajram Rexhepi lidhur me ndërtimin e objektit arsimor në fshatin Sellcë, duke sqaruar se punimet ndërtimore janë duke u zhvilluar në përputhje të plotë me ligjet dhe standardet në fuqi.
Sipas njoftimit zyrtar, Leja e Ndërtimit me nr. 10-176/23 është lëshuar më 26 maj 2023 nga kryetari aktual, z. Bilall Kasami, dhe vetëm pas saj kanë filluar punimet në terren. Komuna thekson se këto deklarata synojnë të minimizojnë kontributin real të saj dhe të kryetarit Kasami në avancimin e infrastrukturës arsimore.
Në reagim përmendet se në periudhën 2013–2021, kur Komuna drejtohej nga Teuta Arifi dhe Ministria e Arsimit nga përfaqësues të BDI-së, nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për ndërtimin e objektit, pavarësisht se mundësitë ligjore kanë ekzistuar. Për më tepër, tentativa e parë për ndërtim dështoi për shkak të përzgjedhjes së një lokacioni të papërshtatshëm, çka solli keqpërdorim të mjeteve publike.
Komuna gjithashtu tregon se kompania ndërtimore ka ende detyrime të papaguara nga ish-ministri Jeton Shaqiri dhe Qeveria paraprake LSDM-BDI, duke ngritur dyshime për mungesë serioziteti në realizimin e projektit.
Pavarësisht këtyre sfidave, Komuna thotë se përmes përkushtimit të kryetarit Kasami dhe mbështetjes nga Qeveria aktuale, faza e parë e ndërtimit po përmbyllet, ndërsa për vitin 2026 janë planifikuar mjetet për përfundimin e fazës së dytë. Qëllimi është që objekti të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor, duke i ofruar nxënësve të Sellcës kushte moderne mësimi.
Në fund, Komuna u bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin akuzat e pabaza dhe të kontribuojnë realisht në përmirësimin e arsimit dhe jetës së qytetarëve.










