Dy propozime që kishin të bëjnë me subvencionimin dhe mbulimin e humbjeve të Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, kanë shkaktuar përplasje në Këshillin e Komunës së Tetovës. Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim braktisën seancën me arsyetimin se nuk kanë mjaftueshëm të dhëna se ku do të shkojnë mjetet. Përderisa kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe drejtori i ndërmarrjes Samet Bislimi, arsyetuan propozimin se mjetet janë për të paguar rrogat e prapambetura dhe të kontributeve të punëtorëve.
“E rëndësishme të theksohet është edhe kërkesa e NPK-Tetova për subvencionim me 69 milionë denarëve ose përafërsisht 1.260.000 euro. Këtë kërkesë kjo ndërmarrje e ka bërë pa dorëzuar dokumentacion të detajuar për realizimin e shpenzimeve dhe pa asnjë plan financiar për destinimin e mjeteve. Kjo na ngre dyshime serioze për keqpërdorim të mjeteve, andaj ne si këshilltarë të Këshillit Komunal të Komunës së Tetovës, duke mos dashur të bëhemi pjesë e kësaj hajnie klasike, në mënyrë demonstrative e lëshuam seancën. Dyshimet tona për keqpërdorim të mjeteve i bazojmë edhe në faktin se seanca u thirr në ditën e sotme, në të njëjtën kohë kur Gjykata Kushtetuese duhet të vendos për ligjshmërinë e gjuhës shqipe. Kjo nuk është bërë rastësisht, por me tendencë, që mos të marrë jehonë ky keqpërdorim klasik”, tha Liridon Disha, këshilltar i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në ndërkohë, kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Naim Ismaili, tha se në Ndërmarrjen Publike Komunale Tetova-Tetovë, gjithsej janë të punësuar 130 veta. Kryesisht mjetet që komuna i ndan për këtë ndërmarrje janë për rroga dhe kontribute, theksoi Ismaili.
“E dini se kjo ndërmarrje përballet me probleme financiare që moti, ka borxhe të trashëguara, sidomos pasi nga kjo ndërmarrje u themeluan edhe dy ndërmarrje tjera – ‘Sharri’ dhe ‘Saubermacher’ dhe është e pamundur që kjo ndërmarrje të funksionojë pa subvencione ose përkrahje nga komuna. Dihet se këta punëtorë janë të angazhuar në pastrimin e hapësirave publike, krasitjen e druve, pastrimin e hapësirave rreth kontejnerëve dhe kur dihet se qytetarët kësaj ndërmarrje i paguajnë 105 denarë, e njëjta nuk mund të funksionojë normalisht dhe të mbulojë rrogat e punëtorëve”, tha Ismaili.
Në ndërkohë, në paraqitjen e tij para këshilltarëve, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se në këtë fundvit pritet që komuna të ketë inkasime më të mëdha të mjeteve, të cilët do të dedikohen për këtë ndërmarrje me qëllim që punëtorëve t’u paguhen rrogat e papaguara deri më tani. (koha.mk)