Trendy

Konfirmime nga Meksika: FIFA e ka refuzuar kërkesën e Iranit për të mos luajtur në SHBA

Para 8 orë

Vijnë konfirmime të rëndësishme në lidhje me Botërorin 2026.

FIFA e ka refuzuar kërkesën e Iranit për t’i zhvendosur ndeshjet e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Meksikës, pavarësisht tensioneve politike dhe shqetësimeve për sigurinë.

Federata iraniane e futbollit kishte kërkuar që ndeshjet e fazës së grupeve të mos zhvilloheshin në territorin amerikan, duke propozuar që ato të luheshin në Meksikë.

Megjithatë, organi më i lartë i futbollit botëror ka vendosur të mos e ndryshojë planin fillestar, përcjell “Gazeta Express”.

Konfirmimi ka ardhur nga presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e cila ka bërë të ditur se FIFA nuk e ka pranuar ndryshimin e vendeve të ndeshjeve.

“FIFA ka vendosur që ndeshjet nuk mund të zhvendosen nga vendet e përcaktuara fillimisht”, ka deklaruar ajo gjatë një konference për shtyp.

Sipas saj, një vendim i tillë do të sillte komplikime të mëdha logjistike për organizimin e turneut, i cili do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Irani kishte shprehur shqetësime për sigurinë dhe situatën politike, duke e kërkuar një alternativë për t’i zhvilluar ndeshjet e tij jashtë territorit amerikan.

Megjithatë, FIFA ka mbetur e vendosur në qëndrimin e saj, duke konfirmuar se kalendari dhe vendet e zhvillimit të ndeshjeve do të mbeten të pandryshuara.

Kështu, sipas planit aktual, Irani do t’i luajë ndeshjet e fazës së grupeve në SHBA, ku është parashikuar të përballet me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re në kuadër të Botërorit 2026. /Gazeta Express

Trending