Të fortit e Kryeministrit po dalin të jenë shkelës të ligjit me të dyja këmbët.
Një shembull i qartë është kandidati për kryetar komune në Brvenicë, i cili nga investitor privat është shndërruar në përfitues publik përmes pushtetit që e ushtron.
Në vitin 2012, ai ka aplikuar si investitor privat për ndërtimin e një tereni për trajnimin e shoferëve.
Por pas ardhjes së tij në pushtet si kryetar komune në vitin 2021, në vend që të largohej nga çdo interes personal, ai ka ndërhyrë drejtpërdrejt në procesin administrativ, duke nënshkruar personalisht aktin që lidhet me këtë investim.
Në vitin 2024, i njëjti ka sjellë vendim për ndryshim të investitorit — nga emri i tij personal Jovica Ilievski në Monza Poligon 2024 DOOEL, ku si drejtuese dhe pronare figuron bashkëshortja e tij, Aneta Ilievska.
Ky është një rast tipik i konfliktit të interesit, i ndaluar qartë me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit (Gazeta Zyrtare e RMV-së nr. 12/19).
Sipas nenit 5 dhe 33 të këtij ligji, çdo zyrtar publik ndalohet të marrë pjesë në vendimmarrje ku ai vetë apo anëtarët e familjes kanë interes financiar apo pronësor.
Pra, një kryetar komune që miraton vendim në favor të bashkëshortes së vet përbën shkelje të rëndë ligjore dhe abuzim të pozitës zyrtare.
Ky veprim është i denoncueshëm para Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (ДКСК) dhe mund të sjellë përgjegjësi penale në bazë të nenit 353-c të Kodit Penal të RMV-së për “keqpërdorim të funksionit publik”.
Për më tepër, ndryshimi i investitorit dhe vazhdimi i lejes ndërtimore sipas ligjit është i mundur vetëm brenda afatit 10-vjeçar nga dhënia e lejes, periudhë gjatë së cilës objekti konsiderohet në proces ndërtimi.
Pas këtij afati, nëse objekti nuk është ndërtuar, leja llogaritet e skaduar, dhe çdo ndryshim i mëvonshëm përbën manipulim administrativ.
Institucionet e drejtësisë dhe qytetarët duhet ta dinë:
Nuk mund të flitet për moral, zhvillim apo ligjshmëri, kur vetë kandidati që kërkon të udhëheqë komunën është shembulli më i pastër i konfliktit të interesit dhe korrupsionit familjar.














