Trendy

Korridorin 8 pa Strugën, Pollozhani kërkon përgjegjësi institucionale!

Para 2 orë

Strugë, 29 mars – Kryetari i Degës së BDI-së në Strugë, Faton Pollozhani, ka reaguar pas deklaratës së fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke ngritur shqetësime serioze për realizimin e plotë të Korridori 8.

Në reagimin e tij, Pollozhani thekson se çështja e Korridorit 8 nuk mund të trajtohet më si një problem lokal, por si një çështje thelbësisht strategjike për vendin dhe rajonin. Sipas tij, çdo ndërprerje apo mosrealizim i një segmenti kyç rrezikon të cenojë funksionalitetin e të gjithë korridorit dhe të vërë në pikëpyetje rolin e tij si një ndër lidhjet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon.

“Ndërprerja ose zvarritja e projektit nuk është vetëm një çështje teknike, por një goditje ndaj vizionit për lidhshmëri rajonale dhe zhvillim ekonomik,” vlerëson Pollozhani.

Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ofrojnë transparencë të plotë për disa elemente kyçe të projektit, përfshirë statusin aktual të realizimit, arsyet reale të ndryshimeve të mundshme dhe hapat konkretë që do të ndërmerren për të garantuar vazhdimësinë e tij.

Në të njëjtën kohë, Pollozhani i referohet edhe përmendjes së UNESCO në diskutimet për projektin, duke theksuar se këto referenca duhet të trajtohen me seriozitet dhe transparencë, por nuk duhet të përdoren si justifikim për vendime që mund të dëmtojnë integritetin dhe qëllimin strategjik të korridorit.

“Në këtë fazë, më shumë se kurrë, kërkohet përgjegjësi institucionale dhe një qasje e qartë për një projekt me rëndësi të veçantë për zhvillimin dhe lidhshmërinë rajonale,” thekson ai.

Ndryshe, sot, kryeministri Hristijan Mickoski tha se Struga nuk do të lidhet me autostradën Ohë-Kërçovë, pasi po bëhet gjithnjë e më e sigurt se segmenti nga Trebenishta deri në Qafë-Thanë, i cili duhej të lidhej me autostradën 57 kilometra të gjatë, nuk do të ndërtohet, me propozim të UNESCO-s.

“Ky segment me shumë gjasë nuk do të mbetet në plan, sepse kjo nuk varet nga ne, por varet nga UNESCO. Megjithatë, po kërkohet mënyra se si të përmbyllet edhe kjo tërësi, sepse hyn në perimetrin e UNESCO-s dhe këtu do të gjejmë një mënyrë që përsëri të kemi komunikacion të sigurt ndërmjet këtyre dy pjesëve dhe mendoj se do ta arrijmë këtë. Në këtë moment, me shumë gjasë, ende nuk është marrë vendimi përfundimtar, ende po negociohet dhe po diskutohet, por ka shumë gjasa që këtu të kemi ndryshime”.

Trending