Ndërsa Autostrada R6 (Prishtinë – Hani i Elezit) u ndërtua brenda pak vitesh dhe u përfundua në vitin 2019, me ura, tunele dhe vepra të mëdha inxhinierike, pala tjetër e kufirit ende përballet me zvarritje të pashpjegueshme, përcjell INA.
Autostrada R6, që lidh Prishtinë me Hanin e Elezit, nisi punimet në vitin 2014 dhe përfundoi në 2019, duke realizuar një projekt kompleks me dhjetëra ura dhe tunele në terren malor. Sot ajo konsiderohet një nga investimet më strategjike infrastrukturore në Kosovë.
Në anën tjetër, projekti i Autostrada A4, që duhet të lidhë Shkupin me pikën kufitare në Bllacë që është rreth 12 km, ka nisur punimet rreth vitit 2020, por ende nuk ka një datë të qartë për përfundimin e plotë.
Rreth 2 km nga autostrada janë ndërtuar, por ajo ende nuk është funksionale dhe nuk u lëshua për përdorim me arsyetimin e Ministrisë së Transportit se lidhja nuk është e duhur.
Pavarësisht se bëhet fjalë për një segment relativisht të shkurtër, projekti vazhdon të shtyhet nga një afat në tjetrin.
Derisa në Kosovë u ndërtua një autostradë 60 km me ura e tunele brenda pesë viteve, në Maqedoninë e Veriut një segment shumë më i shkurtër po zvarritet prej vitesh.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a mungon vullneti politik, menaxhimi efikas apo prioriteti strategjik?(INA)










