Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bërë të ditur se nuk ka evidentuar ndonjë rast të shkeljes së hapësirës ajrore me dronë që do të rrezikonte sigurinë në vend.
Në një përgjigje për media, KFOR ka theksuar se çdo aktivitet në hapësirën ajrore të Kosovës koordinohet me ta, me qëllim shmangien e tensioneve dhe garantimin e sigurisë.
“Ne nuk kemi identifikuar shkelje përmes dronëve që mund ta cenojnë sigurinë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndaj KFOR-i monitoron rregullisht këtë hapësirë me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion”, thuhet në reagim.
Po ashtu, KFOR ka bërë të ditur se mbetet në komunikim të vazhdueshëm si me institucionet e sigurisë në Kosovë, ashtu edhe me Forcat e Armatosura të Serbisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të premten, tha për media se “kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”.
Ditë më parë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ekziston dyshimi se dronë nga Serbia janë futur në hapësirën ajrore të Kosovës.
Deri më tani Serbia nuk i ka komentuar pretendimet e autoriteteve kosovare.









