Njësitë e Policisë së Kosovës po vazhdojnë me bastisje nëpër lokacione të ndryshme drejt ndriçimit të rastit, identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, në lidhje me sulmet e fundit në veri, përfshirë edhe sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Sipas Kosovapress, aktualisht ata janë duke zhvilluar bastisje në fshatin Varagë të Zubin Potokut, përkatësisht në disa lokacione përreth vendit të incidentit.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme autoritetet kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në këtë pjesë të Kosovës, njoftoi të shtunën ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.