Presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi të shtunën më shumë se tri orë bisedime me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në përpjekje për gjetjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.
Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, i cilësoi bisedimet si “shumë të dobishme”, por nuk dha asnjë shenjë se gjatë takimit ishte arritur ndonjë përparim konkret, raporton Reuters.
Sipas tij, Witkoff dhe Kushner paraqitën disa ide lidhur me rrugët e mundshme për zgjidhjen e konfliktit, pa bërë të ditura hollësi të tjera.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu çështje ekonomike dhe projekte të mundshme ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.








