Kryetari i Tetovës Bilall Kasami, së bashku me pronarin e Ecologut, Lazim Destani, sot ka pritur në takim krerët e federatave të futbollit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Armand Duka, Agim Ademi dhe Masar Omeragiqin.
Me ta Kasami ka diskutuar për Stadiumin e Qytetit, si dhe për projekte tjera në të mirë të Tetovës. Kasami në Facebook ka shkruar se në bashkëpunim me FFM-në do të sigurohen 10 mijë ulëse, si dhe mbulojë për tribunat për stadiumin e ri.
“Kisha kënaqësinë që, bashkë me pronarin e grupacionit Ecolog, filantropin Lazim Destani, t’i mirëpresim tre kryetarët e fedaratave, kryetarin e FFM-së Masar Omeragiq, kryetarin e FSHF-së dhe nënkryetar i UEFA-s, Armando Duka dhe kryetarin e FFK-së Agim Ademi. Së shpejti, Stadiumi i Qytetit në Tetovë do të marrë pamje evropiane, ndërsa në bashkëpunim me FFM-në sigurojmë 10.000 ulëse, si dhe mbulojën e tribunave për stadiumin e ri”.
“U dakorduam që ky bashkëpunim i ngushtë të vazhdojë edhe më tej, për të mirën e sportit në Tetovë dhe në rajon”, ka shkruar Kasami.
Përveç ndërtimit të Stadiumit të Qytetit, Kasami në mandatin e dytë ka paralajmëruar edhe projekte tjera që do të jenë në shërbim të sportistëve tetovarë.










