Trendy

Kriza e re e naftës, më e rëndë se ajo e viteve ’70?

Para 3 orë

Që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën luftën me Iranin një muaj më parë, Ngushtica e Hormuzit është mbyllur për trafikun detar. Kjo ka ndërprerë rrjedhën e naftës, gazit dhe furnizimeve të tjera nga shtetet e Gjirit, të cilat zakonisht eksportojnë rreth një të pestën e naftës botërore

Mbyllja për një muaj e një rrugë ujore jetike për furnizimin global të energjisë ka nxitur paralajmërime se bota po përballet me probleme më të rënda se ato të shkaktuara nga kriza e naftës në vitet 1970. Eksperti i transportit detar Lars Jensen, ish-drejtor në Maersk, i tha BBC-së se ndikimi i luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit mund të jetë “shumë më i madh” se kaosi ekonomik i viteve ’70.

Komentet e tij pasuan paralajmërimin e drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, i cili tha se bota po përballet me “kërcënimin më të madh të sigurisë energjetike globale në histori”.

Ai shtoi: “Është shumë më i madh se tronditjet e çmimeve të naftës në vitet 1970. Është gjithashtu më i madh se tronditja e çmimeve të gazit natyror pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia”. Megjithatë, ndërsa mbyllja e Ngushticës së Hormuzit është një goditje për furnizimet globale, disa argumentojnë se bota sot është më e qëndrueshme.

ÇFARË NDODHI NË KRIZËN E NAFTËS SË VITEVE 1970?

Kriza e viteve ’70 ishte “thelbësisht e ndryshme” nga e sotmja, pasi tronditja e parë e naftës atëherë ishte “rezultat i një vendimi politik të qëllimshëm”, tha ekonomistja Dr. Carol Nakhle, drejtoreshë ekzekutive e Crystol Energy. Në tetor të vitit 1973, prodhuesit arabë të naftës vendosën embargo ndaj një grupi vendesh të udhëhequra nga SHBA-të për shkak të mbështetjes së tyre për Izraelin gjatë luftës së Yom Kippur. Kjo politikë u shoqërua me një ulje të koordinuar të prodhimit të naftës.

“Rezultati ishte katërfishimi i çmimeve të naftës brenda pak muajsh”, tha Nakhle. Kjo solli racionim të karburantit në vendet konsumuese të mëdha dhe shkaktoi një “krizë ekonomike dhe financiare globale” me pasoja afatgjata.

Çmimet e larta të naftës nxitën inflacionin, bizneset shkurtonin prodhimin dhe papunësia u rrit ndjeshëm. SHBA-të dhe Britania përjetuan recesione nga viti 1973 deri në 1975, ndërsa kriza kontribuoi në rrëzimin e qeverisë konservatore të Ted Heath në vitin 1974. Një tronditje e dytë e naftës ndodhi në vitin 1979, me Revolucionin Iranian.

ÇFARË PO NDODH NË KRIZËN AKTUALE TË NAFTËS?

Që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën luftën me Iranin një muaj më parë, Ngushtica e Hormuzit është mbyllur për trafikun detar. Kjo ka ndërprerë rrjedhën e naftës, gazit dhe furnizimeve të tjera nga shtetet e Gjirit, të cilat zakonisht eksportojnë rreth një të pestën e naftës botërore. Presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur taktika të ndryshme për të rifilluar eksportet e naftës, përfshirë thirrjen e vendeve aleate për të dërguar luftanije si eskortë dhe kërcënimin për të goditur më fort Iranin nëse nuk lejon kalimin e sigurt të anijeve.

Jensen tha se shumë nga nafta e nisur nga Gjiri më shumë se një muaj më parë ende po mbërrin në rafineritë botërore, por ky fluks do të ndalet së shpejti. “Pra, mungesat e naftës që kemi parë vetëm sa do të përkeqësohen, edhe nëse magjikisht Ngushtica e Hormuzit do të hapej nesër”, tha ai. “Do të përballemi me kosto masive energjie, jo vetëm gjatë krizës por edhe për 6 deri në 12 muaj pas saj”.

A MUND TË JETË KRIZA AKTUALE MË E KEQE SE AJO E VITEVE 1970?

Nakhle tha se tregu i naftës sot është më i larmishëm dhe përdorimi i saj relativisht ndaj madhësisë së ekonomisë globale ka rënë ndjeshëm. Ajo beson se, megjithëse çmimet janë të larta, kriza e sotme nuk është aq e rëndë. “Tregu është më i diversifikuar, më pak i varur nga nafta dhe më i pajisur me mekanizma emergjentë”, tha ajo.

Heaney shtoi se sot ka avantazhe si kuptim më i mirë i ekonomive dhe më shumë vende që mbajnë rezerva nafte. “Skema më e mirë është të përfundojë ky konflikt sa më shpejt dhe të rikthehet stabiliteti”. Por ekonomistja Alicia Garcia Herrero tha se krizat e viteve ’70 ulën furnizimin global vetëm me 5-7%, ndërsa kriza aktuale prek 20% të furnizimeve botërore, “duke e tejkaluar tronditjen e viteve ’70”.

Ajo paralajmëroi se kriza e sotme mund të sjellë rritje më të forta çmimesh, inflacion më të gjerë dhe rrezik recesioni më të thellë, sidomos në Azinë importuese. “Rezervat dhe efikasiteti ofrojnë njëfarë mbrojtjeje që mungonte në vitet ’70, por shkalla e humbjes së furnizimit e bën këtë krizë më të ashpër, pa një zgjidhje të shpejtë në horizont”, tha ajo.

VAZHDON RRITJA E ÇMIMEVE TË NAFTËS

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shfaqur luhatje të forta këtë të martë, ndërsa investitorët po përpiqen të vlerësojnë zhvillimet e fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tyre në furnizimin global me energji. Nafta Brent për kontratat e majit u rrit me 0.58%, duke arritur në 113.43 dollarë për fuçi, ndërsa kontrata më aktive e qershorit u kuotua në 107.31 dollarë. Nga ana tjetër, nafta amerikane West Texas Intermediate shënoi një rritje minimale prej 0.02%, duke u tregtuar në 102.90 dollarë për fuçi, pasi më herët kishte arritur nivelet më të larta që nga 9 marsi.

Tregjet reaguan fillimisht ndaj sinjaleve për negociata midis SHBA-së dhe Iranit, por analistët theksojnë se çdo ndryshim real në çmime do të varet nga rihapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit.

Ndërkohë, Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se diskutimet me Teheranin vijojnë, por ka theksuar se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin, përfshi hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ushtria amerikane do të hedhë në erë të gjithë infrastrukturën iraniane, puset e naftës dhe infrastrukturën e naftës në ishullin Kharg. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në diskutime serioze me një regjim të ri dhe më të arsyeshëm për t’i dhënë fund operacioneve tona ushtarake në Iran. Është bërë përparim i madh, por nëse për ndonjë arsye nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, gjë që ndoshta do të arrihet, dhe nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet menjëherë, ne do të hedhim në erë të gjitha impiantet e tyre të gjenerimit të energjisë elektrike, puset e naftës dhe ishullin Kharg, të cilat qëllimisht nuk i kemi ‘prekur’ ende”.

Ndërkohë, Irani vijon të bllokojë kalimin në këtë korridor strategjik, përmes të cilit transportohet rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë. Si pasojë, çmimet e naftës kanë pësuar një rritje rekord gjatë muajit mars, me Brent që është rritur me 59% dhe WTI me 58%, niveli më i lartë i rritjes që nga viti 2020. Ndikimi është ndjerë drejtpërdrejt edhe te konsumatorët. Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i benzinës ka kaluar pragun prej 4 dollarësh për gallon, për herë të parë në më shumë se tre vite. (BBC)

Trending